Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se pas përfundimit të procesit të numërimit të votave nga diaspora, në rend për t’u numëruar do të jenë votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, të cilat kapin shifrën e rreth 12 mijë votuesve.
Ndërkohë, KQZ-ja ka nisur numërimin e votave të ardhura përmes postës nga diaspora. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, nga 23 kutitë postare janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, shumica e të cilave tashmë janë verifikuar dhe përgatitur për procesin e numërimit.
Sa i përket votimit me kusht, në 52 vendvotime janë regjistruar 8 mijë e 751 votues. Ndërkaq, për votimin e personave me nevoja të veçanta, i realizuar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve, janë evidentuar 3 mijë e 144 votues.
Para nisjes së numërimit të këtyre votave, KQZ-ja po zhvillon procesin e skanimit dhe krahasimit të listave të votuesve të përdorura në vendvotimet e rregullta, me synim identifikimin dhe parandalimin e rasteve të mundshme të votimit të dyfishtë.
Përfundimi i këtyre procedurave do t’i afrojë institucionet zgjedhore drejt shpalljes së rezultateve përfundimtare të procesit zgjedhor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!