Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor, të drejtë vote kanë 1.972. 466 votues. Nga lista votuese janë larguar 33.791 emra pasi që kanë vdekur ose kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës.
Kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Enis Halimi, tha se krahasuar me listën përfundimtare të votuesve në zgjedhjet lokale 2017, në listën votuese preliminare për zgjedhjet e 6 tetor janë mbi 81 mijë votues më shumë.
“Sa i takon listës preliminare votuese, ne kemi marrë ekstraktin e parë nga regjistri civil me të dhënat e shtetasve 18-vjeçar, duke përfshirë edhe ata shtetas që deri më datën 6 tetor do ta arrijnë këtë moshë. Lista preliminare e votuesve përmban 1 milion e 972 mijë e 466 emra të votuesve. Krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhjeve lokale 22 tetor 2017, lista preliminare për këto zgjedhje përmban 115 mijë emra më shumë në numër krahasuar me zgjedhjet e kaluara 2017 – 33 mijë e 791 janë larguar qoftë si të vdekur apo votues që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës. Lista preliminare për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e 6 tetorit 2019 përmban 81 mijë e 514 votues më shumë krahasuar me listën përfundimtare të zgjedhjeve 22 tetor 2017”, tha ai.
Halimi tha se që nga 30 gushti kur edhe ka nisur aplikimi për regjistrim për votuesit jashtë vendit, deri tani kanë pranuar 4.977 aplikacione të cilat janë në fazën e vlerësimit.
Ndërsa drejtori ekzekutiv për regjistrim të partive politike, Yll Buleshkaj tha se deri më tani asnjë subjekt politik apo kandidat i pavarur nuk ka aplikuar për certifikim.
“Jemi në periudhën kur është koha për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre dhe kjo periudhë është deri të premten në mesnatë. Deri më tani nuk ka aplikuar ndonjë subjekt politik apo kandidat i pavarur. Në të njëjtën kohë është edhe periudha për aplikim të akreditim të vëzhguesve, ku deri më tani e kemi pasur interesin e vetëm një OJQ-je, e cila ka sjell një listë prej 116 kandidatëve”, tha Buleshkaj.
Me 6 vota pro, 3 kundër në këtë mbledhje të KQZ-së u miratua edhe propozimin për anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore sipas komunës përkatëse.
I pajtimit me Rrustemin ishte edhe Sami Hamiti anëtari i KQZ-së nga radhët e LDK-së, i cili votoi kundër këtij propozimi.
KQZ ka miratuar gjithashtu edhe planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme, dhe ka shfuqizuar masën e pezullimit për partinë politike Partia Kosovskih Srba-PKS, pasi ajo ka kryer obligimet ndaj KQZ-së. /kp