Pacientet e shtruara në repartin e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), po përballën me mungesa gjërave elementare si dhe me papastërti në këtë repart.
Një sinjalizuese ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme një pjesë të kohës e ka kaluar pa mbulesë fare, ndërsa ka përmendur edhe papastërti në salla. Ndonëse ka vite që pacientet e këtij reparti po ankohen për jo trajtim të mirë nga infermierët, një sinjalizuese është ankuar edhe për gjendjen e sallave ku po qëndrojnë.
Pacientja pretendon se ishte detyruar të shkojë e t’ua kërkojë një mbulesë, për shkak të ftohtit që ajo ndjente. Sipas saj, në këtë repart ka mungesë të gjërave elementare, të cilat po ia vështirësojnë qëndrimin në spital.
“Motrat shpeshherë sillen shume keq. Palloma për me pastruar barkun pas ultraza nuk ka, jemi të detyruara me pastruar me ujë”, tha ajo për Gazetën Sinjali.
Ndërsa, drejtori i Klinikës Gjinekologjike në QKUK, Jakup Ismajli, është shprehur se nuk është e mundur të mbetet pacienti pa mbulesë.
“Jo, mbulesa ka. Më tregoni në cilin repart ka ndodh kjo, që me lyp llogari unë”, tha Ismajli për Gazetën Sinjali.
Ismajli kur është pyetur për mungesën e pecetave për gratë shtatzëna ka thënë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për një gjë të tillë.
“100 ultraza i bëjmë në ditë dhe është e vërtetë që nuk mundemi më i siguri se nuk kemi buxhet”, tha drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Ismajli.
Krahas mungesës së gjërave elementare, problem del të jetë edhe papastërtia e madhe. Sipas së njëjtës sinjalizuese ka pasur raste kur edhe gjaku ka mbetur pa u pastruar me orë të tëra.
“Kur isha në Repartin e Sterilitetit, një grua, pati gjakderdhje pasi u detyra të lind në muajin e gjashtë. Gjaku i cili rridhte në dysheme, ka mbet ashtu për disa orë. Askush nuk ka ardh me pastru. Vinte era shumë e keqe. Derisa, njëra grua u detyrua të shkojë dhe të ankohet”, u shpreh ajo.
Drejtori i Klinikës, Jakup Ismajli, nuk pranon se mund të ketë papastërti, pasi sipas tij, motrat gjithë ditën pastrojnë. Por që fotografitë e dërguara nga sinjalizuese tregojnë se pastërtia lë shumë për të dëshiruar./Gazeta Sinjali/