image Mashtrimet për terminë për viza pune, kërkohet paraburgim për të dyshuarën Arlinda Baliu

Siguri

Mashtrimet për terminë për viza pune, kërkohet paraburgim për të dyshuarën Arlinda Baliu

news image

Rastet e mashtrimit me viza në Kosovë nuk janë të rralla. Shumë herë Sinjali ka raportuar se si kosovarët nga dëshira për të ikur nga vendi, kanë rënë pre e mashtruesve, të cilët u kanë premtuar viza. Për një rast të tillë është arrestuar dje një grua në Prishtinë, e cila po dyshohet se kishte ushtruar aktivitet pa leje pune dhe e njëjta i kishte mashtruar disa persona për sigurim të terminëve për viza pune në Gjermani, raporton Sinjali.

Ndaj Arlinda Baliut, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore ne Prishtine ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës se paraburgimit ndaj te pandehurës, e cila ka mashtruar te dëmtuar, kinse për t’iu siguruar termine për viza pune jashtë vendit, ne gjykatën kompetente”, kanë njoftuar nga Prokuroria.

Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që mund të kenë qenë të mashtruar për terminë për viza pune jashtë vendit, të lajmërohen në Polici.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/