image Mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj – Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit që i morën qytetarëve 12 mijë euro

Siguri

Mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj – Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarit që i morën qytetarëve 12 mijë euro

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj njërit prej të dyshuarve në rastin e mashtrimit me kriptovaluta, ku tre qytetarë u dëmtuan me 12 mijë euro.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, i dyshuari Veton Neziri dyshohet se në bashkëkryerje me Artan Limani dhe Redon Jahija, ka organizuar një skemë mashtruese duke u paraqitur rrejshëm si investitorë dhe posedues të kriptovalutës USDT, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 17 prill 2026 në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, ku të dëmtuarit janë vënë në lajthim dhe kanë dorëzuar nga 4 mijë euro secili, me premtimin se do t’u ktheheshin në formë kriptovalute përmes “wallet”-it digjital.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se pas hetimeve intensive, policia ka zbuluar se të dyshuarit po përgatitnin një skemë të re të ngjashme në Kaçanik, ku edhe u zhvillua ndërhyrja policore më 29 prill 2026. Gjatë aksionit, dy prej të dyshuarve janë arrestuar, ndërsa i treti ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes.

Në operacion janë sekuestruar prova materiale, përfshirë pajisje për numërimin e parave, një veturë dhe mjete të tjera që dyshohet se janë përdorur për realizimin e skemës mashtruese.

Prokuroria ka theksuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa i dyshuari ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh.

Rasti është në procedurë gjyqësore dhe hetimet po vazhdojnë, me mundësi që të identifikohen edhe viktima të tjera të kësaj skeme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/