Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2022 në Kosovë janë regjistruar 11 lindje të foshnjave nga nënat nën moshën 18-vjeçare. Të dhënat, bazohen në shënimet e Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i Klinikës Gjinekologjike e Obstetrike, Jakup Ismajli ka thënë se gjatë këtyre tre muajve të parë të vitit 2022 kanë lindur 2 mijë e 125 foshnje, prej të cilave 11 nga nënat e moshës jo madhore. Ndërsa, gjatë vitit 2021, kanë qenë 26 lindje nga nënat nën moshën 18-vjeçare.
Jo rrallë është ngritur si temë çështja e edukatës seksuale si lëndë që do të duhej të përfshihej në shkolla. Por, deri më tani Ministria e Arsimit nuk e kanë përfshirë këtë lëndë dhe as nuk e ka në plan. Një nga arsyetimet ka qenë se për edukatën seksuale mësohet në disa nga lëndët aktuale, ndër to edhe në “Edukatën fizike”.
Zyrtarja për informim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Ilirjana Pylla për rtv21.tv ka thënë se mësimet në lidhje me edukatën seksuale janë të shpërndara në tri lëndë dhe se nxënësit sipas tyre mjaftueshëm marrin informacione rreth edukimit seksual.
“MASHTI bazuar në strategjinë e re, që është në hartim e sipër, nuk ka në plan të fus si lëndë të veçantë Edukatën Seksuale. Megjithatë, praktikisht edukimi seksual është i inkorporuar si temë në disa lëndë siç janë Biologjia, Edukata qytetare dhe Edukata fizike. Pra, mësime në lidhje me edukatën seksuale, trupin dhe gjininë ka në tekstet aktuale shkollore, por janë të shpërndara në lëndë të ndryshme dhe nxënësit mjaftueshëm marrin informacione rreth edukimit seksual”, ka thënë Pylla.
Ajo ka shtuar se janë duke hartuar doracakë që si të veprohet konkretisht në parandalim dhe edukim përmes disa aktiviteteve duke përfshirë, hartimin e materialeve, në bashkëpunim edhe me institucionet tjera dhe organizatat që punojnë në fushën e promovimit dhe edukimit shëndetësor.
Në anën tjetër, Rinor Qehaja ekspert i fushës së arsimit tha se kompetenca qytetare pjesë e kornizës parasheh kompetenca që po të mirë zbatoheshin do të duhej të nxisin për plan programe të të mësuarit që do të bënin të rinjtë më të njohur edhe për edukimin seksual.
“Çfarëdo reforme tjetër në kurrikulë kërkon debat më të gjerë dhe analizë të kapaciteteve për zbatim”, tha Qehaja.