Qeveria e Suedisë do të ketë fuqi të mbyllë qendrat tregtare dhe transportin publik nga 10 janari, e po ashtu edhe të gjobisë persona nëse i thyejnë rregullat, me ligjin e ri të propozuar të hënë me të cilin synon ta ndalojë përhapjen e koronavirusit.
Deri më tash, Suedia është mbështetur kryesisht në vullnet të qytetarëve për të mbajtur distancën sociale, duke u dalluar nga shtetet tjera në Evropë që kanë aplikuar mbyllje për të luftuar COVID-19, shkruan agjencia Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.
“Në një situatë shumë serioze, Qeveria do të jetë në gjendje të vendosë në masa më të ashpra për të parandaluar tubimet. Kjo përfshinë mbylljen e shitoreve, transportit publik, qendrave tregtare dhe bizneseve tjera që mund të preken nga ky ligj”, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Lena Hellengren, në konferencë për media.
Derisa Qeveria e Suedisë ka insistuar se ka besim te qytetarët se do të respektojnë masat, ajo ka thënë se do të marrë masa ligjore nëse është e nevojshme.
Ligji do të qëndrojë në fuqi deri në shtator, në rast se nuk rinovohet.
Qeveria planifikonte ta prezantonte ligjin në mars, por ka nxituar pasi vala e dytë e infeksionit ka vënën nën presion Shëndetësinë.
Suedia ka regjistruar 6.609 raste të reja me koronavirus të mërkurën e kaluar, shifra më e lartë e raportuar ndonjëherë në këtë vend. Deri më tash ka regjistruar 8279 raste të vdekjes nga COVID-19./Gazeta Sinjali/