Më 22 maj 1999, qyteti i Vushtrrisë u bë skenë e një prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Në këtë ditë, njësi të ushtrisë dhe policisë serbe, përfshirë forcat famëkeqe të Arkanit, larguan me forcë mijëra qytetarë nga shtëpitë e tyre dhe i grumbulluan në vendin e quajtur “Te varrezat”, shkruan Gazeta Sinjali.
Ndërsa shumica u shpërndanë në drejtim të sallës së sportit apo burgut të Smrekonicës, një grup prej 68 civilësh shqiptarë u mbajt peng në shtëpinë e Kahriman Pasomës. Aty, ata u torturuan dhe më pas u ekzekutuan me një plumb në kokë, në mënyrë çnjerëzore. Në mesin e viktimave kishte gra, fëmijë, të rinj e të moshuar.
Pas ekzekutimeve, kufomat e viktimave u bartën me kamion dhe u dërguan në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë, për të fshehur gjurmët e krimit. Vetëm pas përfundimit të luftës, deri në vitin 2015, janë kthyer eshtrat e 67 prej viktimave. Trupi i vetëm që ende nuk është gjetur është ai i Bukurie Shkrelit, vetëm 16 vjeç në kohën e vrasjes.
Gjurmët e gjakut dhe tmerri në vendin e masakrës treguan për një krim të planifikuar dhe të kryer me mizori. Kjo masakër mbetet një nga dëshmitë më të dhimbshme të gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!