Kushtet infrastrukturore dhe higjienike në qendrat e shërbimeve mjekësore në komunat e Kosovës, lënë shumë për të dëshiruar. Pacientët dhe përcjellësit e tyre vazhdimisht ankohen për papastërti, të cilat ua vështirësojnë skajshmërisht trajtimin dhe qëndrimin në spitale, raporton Gazeta Sinjali.
Në gjendje hiç më të mirë nuk është as Qendra e Mjekësisë Familjare në fshatin Bresanë të komunës së Dragashit.
Sinjalizuesi i Gazetës Sinjali ka dërguar pamje nga gjendja e mjerueshme, ku shihet papastërti e madhe, dëmtime të mëdha në mure e në shtretër ku pacientët shtrihen për të marrë trajtim, si dhe deri te shfaqja e mykut.
Koshi i mbeturinave i mbushur, muri i dhomës i dëmtuar pjesërisht ku me një prekje të lehtë pjesa sipërfaqësore e tij shkëputej e tëra, myku rreth e rreth dritarës, uji në gjendje komplet të papërdorshme, çarçafët e shtretërve të ndotur, duke vazhduar edhe me parregullësi të tjera.
Pacientët që po marrin trajtime mjekësore thanë se “maruan” nga kjo gjendje e QMF-së, teksa në vijim mund t’i shihni pamjet nga atje.