Punëtorët shëndetësorë kanë protestuar sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, me kërkesën për procedimin e Projektligjit për Paga. Ata kanë kritikuar Qeverinë që nuk ka ndërmarrë veprime deri tani, derisa kanë paralajmëruar veprime tjera sindikale.
Sipas kryetarit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, Qeveria po punon në mënyrë të fshehtë.
Ai është shprehur se nëse deri në fund të këtij viti nuk procedohet Ligji për Paga, atëherë kjo protestë do të kthehet në reagime më të ashpra sindikale.
“Ne siç po e shihni sot jemi mbledhur përsëri këtu para Qeverisë që t’i shpalosim hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën e vetme që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Ne sot kemi dalë t’i themi stop kësaj jotransparence dhe kemi dalë t’i lajmërojmë se nëse jo Ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë tani më do të kthehet edhe në reagime më të ashpra sindikale. Unë kam nderin dhe kënaqësinë se nuk do ta përfundoj me kaq”, ka deklaruar ai.
Syla ka thënë se Ligji i Pagave do të sillte barazi sociale, mirëpo ai është shprehur se nga Qeveria nuk kanë ftuar përfaqësuesit e sindikatës e ata të shoqërisë civile për të diskutuar për të.
“Ata nuk donë të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa jonë e vetme është Ligji i Pagave. Një ligj i cili kishte me vendos barazinë sociale me të cilin slogan ka ardhë edhe qeveria aktuale. Por kjo nuk po ndodh. Qeveria në mënyrë të fshehtë po punon, pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave por edhe të shoqërisë civile”, ka shtuar ai./GazetaSinjali/