Pejani Dardan Manaj, i njohur me nofkën ‘Manilla’ i ka shpëtuar prangave të Policisë pas një rasti të sulmit, që ndodhi të shtunën në qytetin e Pejës. 42-vjeçari me të kaluar kriminale tashmë po hetohet edhe për incidentin e fundit, por këtë herë në procedurë të rregullt. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga prokurori i rastit, raporton Gazeta Sinjali.
Manaj po dyshohet se e ka sulmuar fizikisht viktimën, për motive akoma të panjohura dhe më pas është dorëzuar në Polici. I njëjti është intervistuar lidhur me rastin dhe ndaj tij nuk është urdhëruar fare masa e ndalimit policor.
Sinjali ka kërkuar përgjigje nga Prokurori i Shtetit për lirimin e Manajt, i cili bazuar në evidencën e të kaluarës kriminale, dyshohet se ka kryer edhe vepra tjera penale.
Në përgjigjen e prokurorit për Sinjalin thuhet se pasi është njoftuar nga Policia për detajet e ngjarjes, ka vlerësuar se në këtë rast nuk janë përmbushur kushtet e parapara për ndalimin e Manajt.
“Ju njoftoj se lidhur me të dyshuarin Dardan Manaj është inicuar rast për vepër penale “Sulmi” nga neni 184 i KPRK-së, pas konsultimit të policisë me mua si prokuror kujdestar. Lidhur me detajet e ngjarjes jam njoftuar përmes telefonit nga policia dhe kam vlerësuar se në rastin konkret, nuk janë përmbushur asnjë nga kushtet e parapara me dispozitat e kodit të procedurës penale për ndalimin e personit të dyshuar, që për pasojë do kishte parashtrimin e kërkesës për sigurimin e prezencës së tij në procedurë penale.“
Sipas prokurorit, i dyshuari gjatë intervistimit e ka pranuar se ka përdorur forcë ndaj viktimës në këtë rast.
“I dyshuari është intervistuar dhe ka pranuar të ketë përdorur forcën ndaj viktimës, ndërsa kam udhëzuar policinë në identifikimin dhe intervistimin e dëshmitarëve eventual të ngjarjes.”
Por kush është ‘Manilla’ nga Peja?
Sinjali ka raportuar në muajin shtator për arrestimin e Dardan Manajt dhe djalit të tij, të cilët dyshohej se kishin sulmuar fizikisht një person dhe gjatë arrestimit, janë përballur me Policinë.
Në kërkesën për paraburgim për këtë rast, thuhej se: “Me datë 25.9.2024, rreth orës 18:15, sulmon personat zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, këtu të dëmtuarin zyrtarit policor, në atë mënyrë qe, ditën kritike derisa zyrtaret policor ne përbërje, derisa ishin ne kryerje te detyrave zyrtare kane hasur te pandehurin Dardan me djalin e tij E. Manaj duke sulmuar këtu te dëmtuarin, te njëjtit kane reaguar fillimisht duke i dhënë komanda verbale qe te ndalonin por pasi te njëjtit nuk i kane përfillur urdhrat verbal te policisë, zyrtaret policor e kapin te pandehurin E.Manaj ndërsa zyrtari policor ka tentuar qe ta ve nen kontroll këtu te pandehurin Dardan Manaj, por i njëjti gjate arrestimit reziston fillimisht duke ju drejtuar me fjalët, fyer “pse ma qite sprejin ti mu, hajt se te kallzoj unë ty tash”.
As për këtë rast, Dardan Manaj nuk e kishte ‘shijuar’ paraburgimin, pasi ishte liruar në arrest shtëpiak.
Manilla i Pejës dyshohej edhe për një rast të kanosjes, që kishte ndodhur në maj të vitit 2023, kue dhe atëherë ishte i përfshirë bashkë me të birin.
Manaj ka qenë i dënuar me 15 muaj burgim në vitin 2019 nga Gjykata Themelore në Pejë, për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.
Por, po atë vit, Gjykata e Apelit, kishte ndryshuar aktgjykimin e Themelores dhe Manajt ia kishte rritur dënimin në 3 vite.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.