Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka akuzuar lidershipin në Serbi se po sillen në mënyrë agresive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke mos e pranuar të kaluarën. Mandl theksoi se Serbia mundet me qenë motor i ekonomisë në rajon dhe të kontribuojë për tërë rajonin, mirëpo udhëheqja institucionale atje nuk po e bën një gjë të tillë.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e Federatës së Paqes Universale, ku po diskutohet për “Paqen, stabiliteti dhe tranzicioni demografik në Ballkanin Perëndimor”, politikani austriak tha se përparimi i rajonit bëhet vetëm përmes bashkëpunimit dhe jo konfliktit.
“Serbia mundet me qenë sikurse Gjermania në Ballkanin Perëndimor, si një motor i ekonomisë. Serbia mundet të kontribuojë në përparimin e njerëzve të vendit të vet dhe më pastaj të rajonit. Shumë njerëz në Serbi e bëjnë këtë, por lidershipi i Serbisë nuk po e bën një gjë të tillë. Ata po sillen në mënyrë agresive, duke mos e pranuar të kaluarën”, tha ai.
Mandl e konsideroi të domosdoshme realizimin e reformave më gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si parakusht për investime strategjike dhe integrime evropiane.
“(Në rajon) Bashkëpunimi me shumë se konfrontimi, bashkëpunimi më shumë sesa konflikti. Ky duhet të jetë qëllimi kryesor në Ballkanin Perëndimor… Investimet janë të nevojshme, sa më pak burokraci, më shumë mundësi dhe sundim të ligjit. E di se gjasat do të jenë më të mëdha për investime që të bëhen në Kosovë dhe rajon. Sistemi arsimor, shëndetësor janë kushte për zhvillim të duhur. Reformat janë të nevojshme për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Në këtë konferencë ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se Kosova po rritet si lider i progresit dhe zhvillimit ekonomik e demokratik në rajon dhe me trajektore premtuese për të tashmen e të ardhmen.
Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, i cili ishte po ashtu i pranishëm, ka përmendur sulmin e 24 shtatorit në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku. Ai ka theksuar se ky sulm ka qenë i organizuar direkt nga Beogradi.