Në Ditën Ndërkombëtare të Mamive, një delegacion i Shoqatës së Mamive të Kosovës, i kryesuar nga kryetarja, Magbule Elezi, është pritur sot në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, raporton Gazeta Sinjali.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se mamitë e kanë njoftuar Osmanin për problemet me të cilat përballet kjo fushë, duke përmendur në këtë kontekst mungesën e gjinekologeve e materniteteve në komunat e vogla, me të cilën gjë sipas tyre, po rrezikohet shëndeti i grave, vajzave dhe fëmijëve.
Po ashtu, mamitë citohen t’i kenë kërkuar presidentes përshpejtimin e miratimit të Ligjit të ri për Shëndetësi.
“Presidentja Osmani, ndërkaq ka theksuar se bashkërisht me institucionet e tjera do të përpiqen t`i adresojnë problemet në këtë sektor, posaçërisht në relacion me sfidat e materniteteve në lokalitete të vogla. Zonja Osmani ka thënë se nënat dhe fëmijët do të kenë trajtimin e duhur pikërisht në saje të punës së mamive, ndaj ka mbështetur kërkesat për përmirësimin e pozitës së gjithmbarshme të tyre”, thuhet në kumtesën e presidencës.
Osmani po ashtu thuhet se u ka dhënë mbështetje edhe për zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mamive, sikurse edhe rritjen e numrit të tyre në institucionet shëndetësore./Gazeta Sinjali/