image “Mamin e harruam në veturë”/ Vëllai i Liridonës tregon për takimin me fëmijët e motrës pas ngjarjes tragjike

Sociale

“Mamin e harruam në veturë”/ Vëllai i Liridonës tregon për takimin me fëmijët e motrës pas ngjarjes tragjike

news image

Leonard Ademaj, vëllai i 30-vjeçares, Liridona Ademaj, ka folur pas ngjarjes tragjike që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku motra e tij mbeti e vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë. E gjithë këtë dyshohet ta ketë planifikuar mirë bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli, i cili u raportua se ka paguar 30 mijë euro për vrasjen e të shoqes, raporton Gazeta Sinjali.

Në një prononcim për RTK, Ademaj ka zbuluar edhe bisedën që ka pasur me fëmijët e të ndjerës momentin e parë që i ka takuar pas ngjarjes tronditëse.

Mamin e harruam në veturë”, i kishin thënë fëmijët dajës së tyre.

Atë ditë ka ndodhë krejt ngjarja, krejt rasti. Djali e kish pas shtrëngu dorën shumë. Kur jom shku në Polici mu ka afru, më ka përqaf edhe tha dajë tha hajni m’i ka lyp paret, po unë s’ia kom jep. E ka çelë dorën, i kish pasë paret aty. Qe tha dajë paret, se s’ia kom jep hajnit”, tha Leonard Ademaj.

Ndryshe, Policia ka arrestuar dje tre persona të dyshuar për vrasjen e Liridonës, përfshirë edhe bashkëshortin e saj, Naim Murselin.

Naim Murseli u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës. I njëjti dyshohet se ka inskenuar gjithë ngjarjen që të ngjajë si grabitje e armatosur me pasojë vdekjen, teksa vetë gjoja kishte arritur që të ikte bashkë me dy fëmijët, 6 dhe 4-vjeçar.

E, personi që dyshohet se shkrepi armën duke e lënë të vdekur në vend Liridonën, është Granit Plava. Plava ka pohuar se Naim Murseli e ka paguar 30 mijë euro që ta privojë nga jeta bashkëshorten e tij.

Gjatë ditës së djeshme Sinjali raportoi ekskluzivisht edhe për personin e tretë të arrestuar, i cili është Kushtrim Kokalla, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe familjar i Naimit.

Seanca fillestare ndaj të dyshuarve do të mbahet nesër në orën 09:30, teksa Prokuroria ka përpiluar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/