Për kundër mos bashkëpunimit të Këshillit Prokurorial e atij Gjyqësor të Kosovës me Qeverinë e Kosovës, kjo e fundit po vazhdon me rrjedhën e procesit të vettingut.
Lidhur me këtë çështje kryesuesi i Këshillit Prokurorial Jetish Maloku, tha për Gazetën Sinjali, se i qëndrojnë pas pikëpamjeve e propozimeve të tyre që tashmë janë të ditura dhe nuk ka nevojë me i zbërthyer.
“Një vetting pa dakordim të KPK e KGJK vështirë me pas sukses vettingu, mirëpo ne mendojmë se në të ardhmen ka vend ende me biseduar për këtë proces reformë apo vettingu si ka qef me thanë qeveria”, tha Maloku për Sinjalin.
Ai tregoi se kanë pasur takime të ndryshme me faktorët e pushtetit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kur është diskutuar për këtë çështje.
Maloku, theksoi nuk e mbështesin këtë proces të vettingut të paraqitur nga ministrja Albulena Haxhiu. Kjo pasi sipas tij, nuk i sjell dobi as sistemit të drejtësisë e as qytetarëve të Kosovës.
“Ju e dini ne kemi qenë aktiv prej fillimit në Grupet Punuese që i ka formuar Ministria e Drejtësisë. Kemi pasur përfaqësuesit tanë aty. Kanë qenë aktiv. Edhe në takimet e drejtpërdrejta me ministren e Drejtësisë apo faktorët e tjerë”, tha Maloku.
Ai tha se nuk e përkrahim një proces të vettingut klasik pasi ka më shumë pasoja sesa që i sjell dobi KPK-së. Nuk e di çfarë dobie i sjell qytetarit një vetting që më tepër ka më shumë pasoja sesa dobi. Nuk jemi dakorduar për një vetting të tillë.
“Ne kemi dhënë mendimet tona që kemi qenë në gjendje të bëjmë ndërhyrje ligjore, të ndryshojmë ato ligje që mendojmë se janë pengesë në rrugë e sipër e të forcojmë mekanizmat e brendshëm në KPK dhe KGJK dhe pse mos ta bëjmë një reformë tonë të brendshme pa pasoja por gjithnjë edhe në dobi të sistemit dhe qytetarëve tanë. Një vetting të tillë me ndryshime kushtetuese s’e kemi parë të arsyeshëm dhe asaj i qëndrojmë edhe sot dhe të njëjtin mendim e kemi”, tregoi ai para gazetarëve, teksa shpalosi punën vjetore të KPK-së”, tha Maloku.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka theksuar se amendamentet kushtetuese për vettingun janë të harmonizuara me rekomandimet e Venecias dhe janë të gatshme për procedim në Gjykatën Kushtetuese.
“Duke qenë një nga proceset më të rëndësishme, në këtë takim shpreha edhe vullnetin e Ministrisë për ta ndihmuar Komisionin për përmbylljen e kësaj reforme me peshë të madhe për vendin dhe qytetarët”, ka thënë Haxhiu.