image Mali i Zi shkarkon ministrin malazez që mohoi gjenocidin në Srebrenicë

Rajon

Mali i Zi shkarkon ministrin malazez që mohoi gjenocidin në Srebrenicë

news image

Të enjten në mbrëmje, Parlamenti i Malit të Zi, miratoi një rezolutë përmes të cilës ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, transmeton Gazeta Sinjali.

Po në këtë seancë, parlamenti shkarkoi ministrin e Drejtësisë, të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Vlladimir Leposaviq, për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës.

43 deputetë votuan pro shkarkimit të Leposaviqit ndërsa 27 të tjerë ishin kundër.

Leposaviq më 26 mars deklaroi para Parlamentit të Malit të Zi se është i gatshëm të pranojë se në Srebrenicë ka pasur gjenocid “kur një gjë e tillë të vërtetohet pa dyshime”.

Qëndrimi i tij nxiti kritika brenda Malit të Zi por edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Propozimi për shkarkimin e tij u bë nga kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq ndërsa u mbështet edhe nga Partia opozitare e presidentit Millo Gjukanoviq.

Rezoluta e miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi që ndalon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës u votua nga 55 deputetë, 19 ishin kundër kësaj resolute dhe 7 abstenuan.

Kjo rezolutë dënon deklaratat, veprimet dhe politikat që mohojnë ose vënë në dyshim gjenocidin në Srebrenicë si dhe shpall 11 korrikun si Ditën e Përkujtimit për viktimat e Srebrenicës.

Në bazë të kësaj rezolute, Mali i Zi konfirmon vendosmërinë për të parandaluar gjenocidin dhe krime të tjera të rënda në të ardhmen.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka konstatuar në vitin 2007 se vrasjet në Srebrenicë kanë përbërë gjenocid./Gazeta Sinjali/