Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kërkoi nga Komisioni i Venecias të nxjerrë një opinion urgjent për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi, i cili po shkakton debate të shumta në opinion, por edhe një krizë politike në Malin e Zi.
Kërkesën e bëri të ditur zyra e presidencës, ku këshilltarët për sistemin kushtetues dhe çështjet juridike, vunë në dukje, se si pasojë e rivotimit të mundshëm të Ligjit të diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për Presidentin në seancën e ardhshme parlamentare, dhe hyrja në fuqi e tij, mund të shkaktojë probleme në rendin kushtetues të Malit të Zi.
“Duke theksuar se pasojë e rivotimit të mundshëm të Ligjit të diskutueshëm për ndryshimin e Ligjit për Presidentin e Malit të Zi në seancën e ardhshme të parlamentit dhe hyrja në fuqi e tij, në një periudhë shumë të shkurtër kohore, mund të cenojë rendin kushtetues të Malit të Zi dhe vlerat juridike universale,” thuhet në kërkesën e presidentit dërguar Komisionit të Venecias.
Presidenti i Malit të Zi në këtë kërkesë problematizoi veçanërisht faktin se “përkundër mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese të Malit të Zi, disa bartës të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ ndërmarrin hapa që shkojnë përtej nivelit të kufizuar të kompetencat e tyre të përcaktuara me Kushtetutë”, thuhet në kërkesën e presidentit malazez dërguar kryetares së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie.
Ndryshimet e miratuara të Ligjit për Presidentin, në fillim të këtij muaji, parashohin që nëse presidenti i vendit nuk propozon mandatar për formimin e qeverisë atëherë mandatin e merr një kandidat që ka mbështetjen e qartë të shumicës së deputetëve. Kjo do t’i mundësonte kandidatit me shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh, Miodrag Lekiq, të formojë qeverinë e re malazeze.
Me 20 shtator presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, refuzoi propozimin që zoti Lekiq, kandidat i partive që miratuan ndryshimet, të jetë mandatari i ri për formimin e qeverisë, ndërsa hodhi propozimin që të shkurtohet mandati i parlamentit aktual, për t’u hapur rrugën zgjedhjeve të reja.
Partitë opozitare thanë se ndryshimet e përfshira në ligj paraqesin shkelje të Kushtetutës së Malit të Zi.
Kërkesa e presidentit Gjukanoviq vjen pas takimit të përfaqësueseve të partive parlamentare në Mal të Zi , e cila përfundoi gjatë kësaj jave pa ndonjë marrëveshje për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi.
Kryetarja e parlamentit Danijela Gjuroviq, e cila ishte nismëtare e këtij takimi, njoftoi se gjatë bisedës “të gjithë insistuan në qëndrimet e tyre”.
“Duhet të diskutojmë nëse jemi gati të kemi një qeveri të re apo të biem dakord për datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme”, tha Gjuroviq.
Edhe pse iu përgjigjën ftesës, drejtuesit e Frontit Demokratik pro-ruse u larguan menjëherë nga negociatat pasi, siç njoftuan, në takim nuk ishte presidenti i Malit të Zi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviq.
Shumica parlamentare, e cila ka 41 deputetë, e udhëhequr nga Fronti Demokratik me Demokratët dhe lëvizjen URA të kryeministrit në largim, Dritan Abazoviq, mbështesin zgjedhjen e një qeverie të re, mandati i së cilës do të ishte kandidati i tyre Miodrag Lekiq.
Nga ana tjetër, blloku i opozitës dhe partive të pakicave të udhëhequr nga partia e presidentit Milo Gjukanoviq mendon se parlamenti duhet të shpërndahet dhe të organizohen zgjedhje të reja.
Mali i Zi është tronditur nga një krizë politike që pasoi rënien e qeverisë së kryeministrit Abazoviq dhe refuzimin e shumicës parlamentare për të hyrë në një proces të ri zgjedhor. Po ashtu, pothuajse të gjitha institucionet janë në gjendje të përkohshme vepruese, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, e cila është pa kuorum./VOA