Gjykata e Apelit ka mbetur me një gjyqtar më pak. Kjo pasi anëtarja e kësaj gjykate Makifete Saliuka u zgjodh zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK-së). Sipas legjislacionit në fuqi, zëvendëskryesuesi në momentin që zgjedhet angazhohet me orar të plotë në KGJK.
Saliuka u zgjodh me shumicën e votave, në mbledhjen e Këshillit të mbajtur të mërkurën pas votimit të fshehtë, transmeton Sinjali.
Sipas Ligjit për KGJK-në, mandati i zëvendëskryesuesit të KGJK-së është 3 vjet dhe se në këto raste nuk zgjatet mandati i anëtarit të këtij Këshilli.
Neni 11 i ligjit në fjalë përcakton se “zgjedhja e anëtarit të KGJK-së si kryesues apo zëvendëskryesues nuk e zgjat mandatin e anëtarit të KGJK-së”.
Në këtë mënyrë, Saliuka do të mbajë pozitën e anëtares së KGJK-së deri në gusht të vitit 2020./Sinjali/