Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka mbërritur në Mal të Zi, ku do të marrë pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor që mbahet nesër.
Lideri francez u prit në aeroport nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, në një vizitë që konsiderohet me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Macron theksoi mbështetjen e Francës për Malin e Zi dhe procesin e integrimit evropian.
“Në Mal të Zi për të hapur një kapitull të ri miqësie dhe një të ardhmeje evropiane. Franca do të jetë atje, besnike ndaj miqve të saj dhe Evropës”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Milatoviq e cilësoi vizitën si një moment të rëndësishëm politik dhe simbolik për vendin e tij.
“Kjo vizitë përfaqëson një konfirmim të miqësisë midis Malit të Zi dhe Francës, si dhe mbështetje për rrugën evropiane të vendit tonë”, deklaroi ai.
Ai shtoi se Mali i Zi duhet të vazhdojë me forcimin e institucioneve, zbatimin e reformave dhe afrimin e standardeve evropiane për qytetarët.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor pritet të fokusohet në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, bashkëpunimin rajonal dhe sfidat me të cilat përballet rajoni në rrugën drejt integrimit evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!