Presidenti francez Emmanuel Macron do të takohet me presidentin hungarez Viktor Orban, në një darkë pune të hënën, përpara Këshillit Europian më 23 dhe 24 mars.
Presidenca franceze tha se të dy liderët pritet të diskutojnë veçanërisht në lidhje me mbështetjen për Ukrainën, forcimin e konkurrencës europiane, çështjet e energjisë dhe mbështetjen për industrinë europiane të mbrojtjes.
Viktor Orban, i cili nuk është ndalur së sulmuari “luftën indirekte” të Europës kundër Rusisë, bëri një apel në fund të shkurtit për të shpallur një armëpushim në konfliktin që po shkatërron Ukrainën prej një viti.
Që nga fillimi i ofensivës ruse në shkurt 2022, qeveria hungareze, e cila është shumë e varur nga hidrokarburet ruse, ka zgjedhur të mbajë një qëndrim të paqartë, duke shmangur kritikat ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Orban, i cili kishte një marrëdhënie të ngushtë me Putinin para luftës, ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev, ndërsa ai ka mbështetur sanksionet europiane kundër Moskës, edhe pse qeveria e tij dhe partnerët e saj i miratuan ato.
Presidenti francez në diskutimin e tij me kryeministrin hungarez do t’i referohet “çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit”, raportoi gjithashtu Elysee.
Që nga kthimi në pushtet në vitin 2010, lideri nacionalist hungarez i krahut të djathtë ka dobësuar gradualisht mekanizmat e kontrollit, nga media te gjyqësori, gjë që e ka bërë shpesh atë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Europian.
Ndër të tjera, BE ka ngrirë 12 miliardë euro fondet e destinuara për Budapestin, në pritje të reformave kundër korrupsionit.