Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot në mbrëmje se zjarret në Amazonë përbëjnë një krizë ndërkombëtare.
Kreu i shtetit francez iu kërkoi anëtarëve të G7-ës që të bisedojnë fillimisht për këtë urgjencë gjatë samitit në Biarric që mbahet këtë fundjavë.
“Shtëpia jonë po digjet. Në kuptimin e drejtë të fjalës. Amazona, mushkëria e planetit tonë që prodhon 20% të oksigjenit, është në zjarr. Kjo është një krizë ndërkombëtare. Anëtarë të G7-ës, të flasim për këtë urgjencë fillimisht gjatë këtyre dy ditëve”, shkroi presidenti francez në rrjete sociale, duke iu referuar frazës së shprehur në vitin 2002 nga paraardhësi i tij Jacques Chirac, “shtëpia jonë digjet dhe ne shohim gjetkë”.