Sipas një deklarate për shtyp të lëshuar nga Pallati Elysee, Presidenti francez, Emmanuel Macron ka nënshkruar protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s.
Pas nënshkrimit të protokolleve, Macron ka thënë se kjo do të përforcojë sigurinë e dy shteteve.
“Kjo zgjedhje sovrane e Finlandës dhe Suedisë, dy partnerë evropianë, do të përforcojë sigurinë e tyre përballë një kërcënimi në fqinjësinë e tyre të afërt dhe do të sjellë një kontribut të rëndësishëm, në lidhje me kapacitetet e këtyre dy partnerëve”, ka thënë ai.
Senati francez dhe Asambleja Kombëtare kishin miratuar dhe ratifikuar më parë kërkesat për anëtarësim nga Finlanda dhe Suedia, shkruan Yle.fi, transmeton Klankosova.tv.
Rreth 23 nga 30 vendet anëtare të NATO-s kanë ratifikuar deri më tani aplikimet për anëtarësim të paraqitura nga dy vendet.
Gjashtë shtete anëtare, Sllovakia, Hungaria, Spanja, Portugalia, Greqia dhe Turqia nuk i kanë miratuar ende aplikimet.