image Macron në Shtëpinë e Bardhë, Biden shtron darkën e parë për një udhëheqës të huaj

Botë

Macron në Shtëpinë e Bardhë, Biden shtron darkën e parë për një udhëheqës të huaj

news image

Presidenti amerikan Joe Biden dhe ai francez Emmanuel Macron po takohen sot në Shtëpinë e Bardhë. Për të nderuar Presidentin Macron, Presidenti Biden shtron sonte darkën e parë shtetërore për një udhëheqës të huaj. Në fjalimet para takimit, të dy udhëheqësit theksuan miqësinë e gjatë historike mes dy vendeve.

Por, gjatë ditës së parë të vizitës së udhëheqësit francez në SHBA, zoti Macron pati kritika ndaj ligjeve amerikane që mbrojnë ambientin. Materiali në vijim sjell detajet.

Presidenti Emmanuel Macron u prit me nderimet më të larta në një ceremoni që nuk linte asnjë dyshim për respektin e lartë që Franca gëzon nga administrata e presidentit Biden.

Në fjalimet para takimit të dy udhëheqësit u ndalen tek miqësia e gjatë mes dy kombeve dhe ndihma që i kanë dhënë njëri tjetrit në momente kyçe të historisë.

“Franca është aleati ynë më i vjetër. Partneri ynë i palëkundur në kauzën për liri. Nga ndihma e ushtarakut francez Marquis de La Fayette, që siguroi suksesin e revolucionit tonë e deri te sakrifica e ushtarëve amerikanë, që zbarkuan në plazhet e Normandisë, historitë tona kanë marrë formë nga guximi i grave dhe burrave që kapërcyen Oqeanin Atlantik të udhëhequr nga flaka e lirisë në zemrën e tyre. Sot ajo flakë bën dritë më shumë se ndonjëherë tjetër dhe aleanca mes dy vendeve tona mbetet jetike ”, tha Presidenti Joe Biden.

Presidenti francez i bëri jehonë fjalimit të homologut amerikan duke thënë se të dy kombet “kanë luftuar krah për krah për liri”.

“Ne kemi detyrimin ndaj historisë sonë të përbashkët, ndërsa lufta është kthyer në tokën evropiane për shkak të agresionit rus në Ukrainë dhe krizave të ndryshme, që kombet dhe shoqëritë tona përballen, të bëhemi vëllezër, që luftojmë sërish së bashku”, tha presidenti francez, Macron në fjalimin e tij.

Bisedimet pritet të përqendrohen kryesisht në përpjekjet për të qëndruar të bashkuar në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë dhe për të koordinuar qasjen e tyre ndaj Kinës që është bërë më autoritare.

Megjithëse fjalimet e tyre i thurrnin lavde miqësisë SHBA-Francë, takimi nuk pritet të shkojë pa mosmarrëveshje.

Presidenti francez nuk po e fsheh pakënaqësinë ndaj ligjeve të Presidentit Biden për mjedisin, që zoti Macron tha se do të kenë ndikim negativ tek kompanitë evropiane. Gjatë takimeve të tij të djeshmenë Uashington, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë janë po ashtu thellësisht të shqetësuar për ligjin amerikan që mbështet teknologjitë amerikane që nuk dëmtojnë mjedisin.

Një ditë më parë, zoti Macron tha se ai dhe udhëheqës të tjerë evropianë mbeten thellësisht të shqetësuar nga dy ligje të reja amerikane./voa

/GazetaSinjali/