Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se njohja e shtetit palestinez “nuk është vetëm një detyrim moral, por edhe një kërkesë politike”, duke përmendur disa kushte për marrjen e këtij vendimi. Në një konferencë për shtyp nga Singapori, ai konfirmoi se Franca do të jetë bashkëkryesuese e një konference ndërkombëtare për zgjidhjen me dy shtete, që do të mbahet në OKB nga 17 deri më 20 qershor, shkruan Gazeta Sinjali.
Macron tha se Evropa duhet “të ashpërsojë qëndrimin e saj kolektiv” ndaj Izraelit, nëse nuk ka një reagim të duhur për krizën humanitare në Gazë. Ai sugjeroi që BE-ja të rishikojë Marrëveshjen e Asociimit me Izraelin dhe të vendosë sanksione, nëse nuk respektohen të drejtat e njeriut.
Kushtet që Macron përmendi për njohjen e Palestinës përfshijnë: lirimin e pengjeve nga Hamasi, çmilitarizimin e kësaj lëvizjeje, mospjesëmarrjen e saj në qeverisje, reformimin e Autoritetit Palestinez, njohjen e Izraelit dhe të drejtës së tij për të jetuar në siguri, si dhe krijimin e një arkitekture sigurie në rajon.
Presidenti francez nuk konfirmoi nëse njohja zyrtare e Palestinës do të ndodhë gjatë konferencës në OKB, por tha se do të marrë pjesë personalisht. Ndërkohë, edhe vende si Spanja, Kanadaja dhe Britania e Madhe kanë sinjalizuar mundësinë e njohjes së shtetit palestinez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!