image “Ma theu telefonin dhe me kapi për flokësh” – gruaja nga Skenderaj denoncon bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme

Siguri

“Ma theu telefonin dhe me kapi për flokësh” – gruaja nga Skenderaj denoncon bashkëshortin për dhunë të vazhdueshme

news image

Një tjetër rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Skenderaj, ku një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunë fizike, psikike e financiare, ndërsa ka deklaruar se abuzimi ndaj saj ka qenë i vazhdueshëm.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se fillimisht në Stacionin Policor është paraqitur bashkëshorti, A.Z., i cili ka deklaruar se kishte pasur një mosmarrëveshje me gruan e tij, por ka mohuar të ketë kryer ndonjë veprim të dhunshëm.

Megjithatë, pas intervistimit të bashkëshortes së tij, D.Z., versioni i ngjarjes ka marrë tjetër rrjedhë. Ajo ka deklaruar para hetuesve se bashkëshorti i kishte thyer telefonin, e kishte kapur për flokësh dhe kishte ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Sipas viktimës, kjo nuk ishte hera e parë, pasi ajo kishte qenë vazhdimisht subjekt i dhunës fizike, psikike dhe financiare.

Pas incidentit, gruaja ishte larguar nga shtëpia dhe kishte shkuar te familja e saj, prej nga kishte vendosur ta denonconte rastin në Polici. Asaj i është ofruar trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të pësuara.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë për veprat penale “Dhunë në Familje” dhe “Asgjësim apo Dëmtim i Pasurisë”, ndërsa atij i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/