Po mbahet protesta masive e punëtorëve të Telekomit para Qeverisë së Kosovës për shkak të gjendjes së krijuar në Telekomin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Shihet se numri i protestuesëve është mjaft i madh. Disa prej tyre kanë edhe pankarta me mbishkrimet “Unë punoj, Devollët pasurohen”, “Kryeministër edhe ne jemi të këtij shteti”, “Ma mirë me vdekë prej COVID-19 se nga Blerim Devolii”, “Deputetë mbrone pasurin e shtetit”.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit, Lamih Balaj tha se nuk do të ndalen me protesta derisa të arrijnë qëllimet e tyre, pra zhbollokimin e xhirollogarive dhe pagat e punëtorëve.
Tutje ai tha se djersën e punëtorëve të Telekomit s’mund ta merr krimineli Blerim Devolli.
“Protestën e kemi paralajmëruar që nga muaji korrik. Është me fajin e deputetëve dhe fajin e atyre që janë në ndërtesë, pra fajin e qeveritarëve. Me fajin e tyre janë bllokuar xhirollogaritë. Sot jemi mbetë nën mëshirën e fatit. Punëtorët janë të rrezikuar të humbin vendin e punës. Në çdo moment po rrezikohen rreth 1 milionë konsumatore”.
“Kemi 400 kontrata me persona fizik, antenat e vendosura në pronat e tyre dhe tashmë kanë filluar të ndalen për shkak të mospagesës. Mund të na largojnë nga objektet për shkak se jemi në qira. Nuk do të ndalemi në asnjë formë. Do jemi në portesta të vazhdueshme derisa Qeveria ta merr përgjegjësinë për mbrojtjen e pasurisë së Kosovës”.
“Qeveri, ministër që ka mbi 2 javë që s’keni dalë më fol për gjendjen e Telekomit, ju bëjmë me dije se nuk e kemi ndërmend me u tërhekë. S’jemi dalë këtu për me rrëzu Qeverinë, por me ju kallzu se sa herë të vjedhin njerëzit në Kosovë, Telekomi s’mund me bart. Djersën e punëtorëve të Telekomit s’mund ta merr krimineli Blerim Devolli. Ju e keni pru në këtë gjendje, marre ju koft çdo cent që ia keni marrë Telekomit”.
“Nuk do largohemi nga këtu derisa t’i arrisim qëllimet tona, pra zhbollokimi i xhirollogarive dhe pagat e punëtorëve, Derisa Qeveria të merr përgjegjësinë e Telekomit”.
Punëtorët e Telekomit ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor, ndërsa thonë se tashmë po rrezikohet seriozisht edhe funksionimi i ndërmarrjes.
Kujtojmë që Policia e Kosovës e kishte refuzuar kërkesën e tyre për protestë, por ata nuk i janë bindur. /GazetaSinjali/