Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka bërë të ditur përkrahjen e tij të plotë për kandidaturën e Arbër Ismajlit për kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet lokale të ardhshme, pas vendimit të tij për të mos garuar për një mandat të ri, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një postim në rrjetet sociale, Haziri thekson se pas konsultimeve me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjilan, është arritur marrëveshja që Arbër Ismajli të jetë kandidati zyrtar i partisë. Ai shpreh besimin e madh te Ismajli, duke e përshkruar si një lider të përgatitur dhe me përvojë që do ta udhëheqë Gjilanin me dinjitet dhe përkushtim.
“Është një vendim i përbashkët që vjen si rezultat i besimit dhe vlerësimit të punës së tij, veçanërisht si nënkryetar i Komunës dhe aktivist i palodhur i LDK-së për tri dekada,” shkruan Haziri, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen dhe duke ftuar për bashkim në rrugëtimin e ri për zhvillimin e Gjilanit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!