Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku ka folur për arrestimet e ish-krerëve të ushtrisë nga Tribunali Special. Lushtaku është shprehur se Serbia kreu krime, ndërsa Specialja arrestoi shqiptarët.
Ai tha se nuk e ka shqetësuar deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, sipas të cilit, konflikti i ngrirë mes Kosovës dhe Serbisë, mund të përshkallëzohet, nëse nuk arrihet paqja.
“Jo deklaratat asnjëherë nuk më shqetësojnë shumë. Ne e dimë që Serbia ka kryer gjenocid edhe në Kroaci e Bosnje, ashtu edhe në Kosovë. Serbia mendon gjithmonë për lufta, mendon se do ta kthejë Kosovën nën sundimin e saj. Por, ne jemi këtu dhe nuk e kemi ndërmend me lëshu Kosovën. Nëse Serbisë veç i shkon mendja me ardhë në Kosovë. Ne jemi të gatshëm me vdekë për Kosovën kurdo që është nevoja..”, ka thënë Lushtaku në T7.
Për arrestimet e ish-krerëve të UÇK-së, ish-komandanti tha se Serbia ka kryer krime e masakra, ndërsa tash po arrestohen shqiptarët.
“Serbia ka bërë krime, edhe bën krime edhe na çon nëpër burgje në Kosovë në kohën e UNMIK-ut edhe tash në Speciale. Specialja është shpërblim për Serbinë për gjithë ato krime gjithë ato masakra që i ka bërë. Kur don le të ja mësynë, ne jemi të gatshëm me vdekë për Kosovën”, përfundoi ai. /Gazeta Sinjali/