image Luljeta Aliu zgjidhet anëtare e KPM-së: Kush është analistja që mbështeste 'fuqishëm' Vetëvendosjen?

Politikë

Luljeta Aliu zgjidhet anëtare e KPM-së: Kush është analistja që mbështeste ‘fuqishëm’ Vetëvendosjen?

news image

Luljeta Aliu – Krasniqi , analiste e njohur në Kosovë, është zgjedhur anëtare e Komisionit të Pavarur për Media. Aliu është parë shumë shpesh në emisione e debate të ndryshme. Por kush është ajo dhe pse po komentohet kaq shumë zgjedhja e saj?

Më 48 vota të marra në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Aliu tashmë do ta ketë një ulëse si anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është një organ mjaft i rëndësishëm që ka kompetencat për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Pse po komentohet zgjedhja e saj?

Jo veç në Kosovë, që në fillim kur analistja ishte vlerësuar me më së shumti pikë nga Komisioni përgjegjës i Kuvendit të Kosovës, kishte pasur reagime të shumta.

Madje, kur ishte vendosur në pikë të rendit të ditës zgjedhja e këtyre anëtareve, kishte pasur një reagim edhe nga Federata Evropiane e Gazetarëve, kjo krejt për shkak të dyshimeve për afërsinë e saj me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.

“Kuvendi i Kosovës pritet që sot të zgjedhë tre anëtarë të Komisionit të Pavarur të Mediave. Jam thellësisht i shqetësuar të dëgjoj që partia që udhëheq në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, do të zgjedhë persona që janë përkrahës të kësaj partie.” – thuhej në një reagim të Sekretarit të Përgjithshëm të EFJ, Ricardo Gutierrez.

Jo shumë kohë më parë, në një paraqitje të saj në emisionin Pressing, Aliu kishte pas një debat të ashpër me Ardian Kastratin, i cili sapo kishte aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Krejt kjo kishte nisur me pretendimet e Kastratit se Aliu ka tendencë për ta barazuar votuesin e PDK-së me një të Kralevës në Serbi.

“Pse po e ofendon Kralevën?” – ishte përgjigjur ajo, deklaratë kjo që kishte shkaktuar shumë reagime, edhe vetë të Kastratit, i cili kishte thënë se po ofendohen votuesit e PDK-së.

Në debate të tjera ndërkohë, ajo e kishte parashikuar edhe fitoren e VV-së, derisa qëndrimet e saj i kishte bërë të ditura edhe në Facebook.

Në një shkrim tjetër në këtë rrjet social, Aliu kishte përmendur disa çështje, derisa deklaronte se “VV duhet të tregojë pse VV janë më të mirë e më të besueshëm në këto tema”.

“…Tani duhet VV të tregojë pse janë më të mirë dhe më të besueshëm se të tjerët në këto tema. Vështirësia këtu do të jetë që këtë dallim ta bëjnë pa rënë në një gjuhë negative të përgojimeve dhe baltosjes (sidomos ndaj LDK-se, nëse duan ta kursejnë si partner të ardhshëm) dhe pa u fokusuar në të kaluarën, por duke shpalosur vizion dhe zgjidhje konkrete.” – ishte shprehur ajo.

Kush është Luljeta Aliu?

Aliu filloi të bëhet edhe më e njohur në publik, pasi kishte bërë disa paraqitje si analiste në emisionin “Pressing”.

Sipas disa të dhënave në “Sbunker” ku ajo kishte shkruar opinione, thuhet se Luljeta Aliu ka mbaruar studimet interdisiplinare për Shkenca Politike, Letërsi Gjermane dhe Të Drejtën Ndërkombëtare në Universitetin e Cyrihut.

Po ashtu, aty thuhej se tashmë anëtarja e re e bordit të KPM-së, ka qenë duke doktoruar në Shkenca Politike në Nurenberg të Gjermanisë, megjithëse nuk dihet nëse i ka përfunduar këto studime, raporton Nacionale.

/GazetaSinjali/