image “Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim”, fjalimi i Rexhep Selimit në daljen e parë të UÇK-së

Histori

“Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim”, fjalimi i Rexhep Selimit në daljen e parë të UÇK-së

news image

Më 28 nëntor të vitit 1997 u shënua dalja e parë në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj ishin tre pjesëtarë të UÇK-së që dolën në skenë gjatë varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë, i cili u vra nga forcat policore serbe.

Mujë Krasniqi u vra më pas më 14 dhjetor të vitit 1998, Rexhep Selimi është duke u mbajtur në qendrën e paraburgimit në Hagë, ndërsa Daut Haradinaj vazhdon të mbesë në skenën politike të Kosovës.

Fjalimin e mbajti Rexhep Selimi.

Fjalimi i plotë:

Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj!

Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më ç’njerëzore nga pushtuesit serbë.

Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur.

Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau.

Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë.

UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë.

Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla.

Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia!

Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.

Lavdi të rënëve për liri!

28 nëntor 1997