“Luan Mustafa po e dojke paren ma së forti. Ai po ta merrke kafshatën e fundit të gojës ose siç thonë, viçin e fundit me pas, Luani po ta merrke”.
Dy mjekë, një kirurg dhe një anesteziolog në Gjilan, janë arrestuar nga Krimet Ekonomike nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet. Anesteziologu, Halil Basha dyshohet se kishe kërkuar 100 euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, ndërsa kirurgu Luan Mustafa dyshohet se mori 330 euro, por kërkoi edhe 200 euro shtesë. Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar, shkruan Gazeta Sinjali.
Për Mustafën kjo nuk është hera e parë që akuzohet për një vepër të tillë. I njëjti ishte arrestuar edhe në vitin 2013 nga krimet ekonomike.
Mustafa dyshohej se i ka kërkuar dhe njëkohësisht i ka pranuar të holla (kesh) në vlerë prej 500 €, nё zyrën e tij (qendrën spitalore në Gjilan) nga një qytetar, me qëllim që ta operojë nënën e tij, e cila lëngonte nga një sëmundje në mëlçi.
Në aktakuzën e ngritur nga prokurori Isuf Sadiku thuhet se “Luan Mustafa me datën 28 tetor 2013 në Spitalin e Gjilanit, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë pranon dhuratë me qëllim të përfitimit për vete”.
Sipas aktakuzës “kirurgu Mustafa nga i dëmtuari Muhamet Osmani me qëllim të kryerjes së shërbimit, operimit të nënës së tij pranon para 500 euro në zyrën e tij në spitalin e Gjilanit, të cilat para i gjinden dhe i konfiskohen nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe i njëjti arrestohet”.
Mustafa, ishte mbajtur në paraburgim nga 28 tetori deri më 22 nëntor 2013.
Për këtë rast ka folur Muhamet Osmani, i cili e kishte paditur Luan Mustafën për marrje ryshfeti.
Osmani në një rrëfim për Gazetën Sinjali thotë se Mustafa i kishte kërkuar 1700 euro pagesë për ta bërë nënën e tij operacion, për një sëmundje që siç deklaron Osmani, nuk kishte ekzistuar kurrë.
“Problemin e kemi pas në vitin 2013. Nënën e kam pas të sëmurë. Jemi end në spital të shtetit dhe kemi qëllu në to (Luan Mustafa). Pastaj ai (Luan Mustafa) na ka thënë me shku në ordinancë të tij pastaj ka filluar ai terapiat për nënën disa analiza, dikur tha e ka një sëmundje hinogog. I kemi bërë disa analiza te Aloka, kontrolla te ai (Luan Mustafa) ka zgjatë dikun 2 ose 3 muaj dhe tha se duhet ta bëjmë operacion.
Edhe kur tha se duhet me bë operacion, edhe na i kemi dërgu analizat te disa mjek të tjerë të Gjilanit dhe na kanë thënë që nëna nuk ka hinogog. Ata si mjek e njifshin që mjeku Luan Mustafa, njerin për para e pren. Edhe kur tha që duhet me bë operacion tha nëse dëshiron e bëjmë në të shtetit ose në privat. Në privat tha kushton 2 mijë euro a në të shtetit 1 mijë e 700 euro. Këtë llaf e kemi bërë tek ordinance e tij. Ai më tha se veç penjë më shkojnë 400-500 euro edhe thoshte se është i vetmi mjek në Gjilan që e bën këtë operacion.
Pastaj më vonë kur e morëm vesh se nëna nuk e ka atë sëmundje, edhe ai na bëri terminin me bë operacion një të hënë me shku. Ai i ka kërku 1700 euro, edhe i pata marr 500 euro për me ja dhënë për me bë nënën operacion, por ne në fakt nuk e dërguam nënën fare. Unë e lajmërova rastin në Polici të Gjilanit, ka qenë ditë e diel. Të nesërmen shkova në mëngjes e kam dhënë deklaratën në Polici, me veti i kisha 500 euro.
Doktori më thirri në mëngjes tha pse nuk ke ardh? I thash tash po vi. Kam shkuar bashkë me Policinë, ata kanë qenë polic civil, ma kanë dhënë përgjuesin jemi shku në spital, e kam thirrë dhe ka dalë nga salla ku kishte qenë gati për ta bërë operacion dikënd tjetër. Kam dashtë me ia dhënë paratë aty në sallë por nuk i ka marr në koridor të sallës por kemi shkuar tek zyra e tij në spital. Ja kam dhënë paret 500 euro edhe më pyti pse s’ka ardh nëna…Policia ishin aty krejt civila në koridor duke u sjellë edhe ja kam dhënë paret, I ka marr paret dhe më tha si të duash e lëmë me kaq por i thash jo jo, vëllai vjen pasdite nga jashtë edhe t’i jap të tjerat si qysh jemi marr vesh, edhe e pyeta edhe sa duhet me t’i dhënë, më tha edhe nja 1200 euro. Ai i futi 500 eurot në njëfarë regalli aty, I tregova policit, e kanë arrestu dhe ka qëndru 1 muaj në paraburgim, e kanë lëshuar dhe ja ka fillu punës”, u shpreh Osmani.
Më tej, ai thekson se seancat e para gjyqësore kanë filluar në vitin 2015 por shton se për shkak të “fuqisë ekonomike” të doktorit, nga ky rast, mjeku Luan Mustafa ka dalë i pafajshëm
Madje, Osmani hedh kritika edhe ndaj prokurorit të rastit Isuf Sadiku, për të cilin thotë se ka marrë ryshfet për ta nxjerrë të pafajshëm Mustafën.
“Ai (Luan Mustafa) qaq që kish pare, ai atë kohë sa ka qenë në burg më ka dërguar njerëz në shtëpi për ta ndryshuar deklaratën për të thënë unë që e kemi pas në privat e jo në të shtetit për me bë nënën operacion“, tha Osmani.
“Prokurori prej kur kam nis me dhënë deklaratën për kontrolla të nënës e që shkuam në Polici, edhe kur jemi shku me Polic deri në spital në ditën kritike, deri qaty gjykata kishe e ka marr si lëndë, prej andej e ka nda lëndën prokurori, kur i kam dhënë faktet e gjalla që ka qenë videoinçizimi dhe që paret që i ka marr e që Policia e ka marr numrin serik të pareve, e ka bërë kopje këtë pjesë gjykatësi nuk e pranojke.
Kjo deklaratë nuk është pranuar sipas prokurorit kinse prokurori nuk e ka dërguar lëndën komplet në gjyaktë Brenda tri ditësh që e kishin me afat por kishe e ka dërguar lëndën në dy pjesë. Pjesa e dytë kanë qenë faktet e gjalla,m video-incizimi, e ka dërguar tri ditë më vonë dhe prandaj nuk është pranuar. I kam thënë prokurorit, pse nuk e ke dërgu komplet, ka thënë është ndrru ligji, dhe I kam thënë në sy prokurorit Isuf Sadiku që i ke marr paratë”, u shpreh Osmani.
Për këtë rast, Mustafa ishte shpallur i pafajshëm në shtator të vitit 2016 nga Gjykata Themelore në Gjilan.
Si ndodhi rasti në vitin 2023?
Gazeta Sinjali ka raportuar më 30 prill se një kirurg dhe një anesteziolog në Gjilan ishin arrestuar nga Krimet Ekonomike nën dyshimin se kanë kërkuar ryshfet.
Rasti u zbulua pasi hetuesit arritën të siguronin dëshmi gjatë dorëzimit të parave te njëri i dyshuar.
“Pas kryerjes së veprimeve operative/hetimore, kanë arritur të sigurojnë dyshime të arsyeshme se i dyshuari me profesion doktor/anesteziolog, dyshohet se kishte kërkuar ryshfet në vlerë njëqind euro nga viktima për të kryer një ndërhyrje, po ashtu dyshime të arsyeshme janë siguruar edhe për të dyshuarin e dytë me profesion doktor/kirurg, se lidhur me ndërhyrjen kishte marr treqind e tridhjetë euro, ndërsa kishte kërkuar edhe dyqind euro shtesë.
Pasi që është siguruar urdhri verbal nga gjyqtari i procedurës paraprake, për stimulim të veprës penale (Marrja e ryshfetit), hetuesit kanë arritur të sigurojnë dëshmi gjatë dorëzimit të parave tek njëri i dyshuar.
Nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, janë arrestuar dhe shoqëruar për intervistim personat e dyshuar, ku me vendim të prokurorit të shtetit është lëshuar aktvendim për ndalim në afat prej 48 orësh.”, njoftoi Policia.
Kurse, drejtori i Spitalit të Gjilanit Arsim Emini, kishte deklaruar se është njoftuar nga Krimet Ekonomike për arrestimin e mjekëve pasi që është dashur ta organizojë kujdestarinë.
“Sektori për Krime Ekonomike mbrëmë rreth orës 20:00 më ka njoftu që janë arrestu dy mjekë të cilët akanë qenë në kujdestari, një kirurg dhe një anesteziolog, për arsye të dyshimit për mitmarrje. Ata më kanë njoftu për atsye se kanë qenë në kujdestari dhe është dashtë me organizu kujdestarinë që meqë i kanë marrë për intervistim dhe më vonë e kam marrë vesh që i kanë ndalu për 48 orë, na kanë lajmëru që me organizu punën që mos me mbet spitali pa mjekë. Këto janë informacionet”, tha doktor Emini.
Gazeta Sinjali ka kontaktuar Isa Mustafa i cili është avokat mbrojtës i Luan Mustafa.
Me të pyetur për rastin në fjalë, avokati Mustafa mohoi që klienti i tij është në paraburgim.
“Ja”, derisa e pyeti gazetarja edhe njëherë “pra Luan Mustafa nuk është në paraburgim?”, ai u përgjgj sërish duke thënë “Jo”.
Mustafa ishte kategorikisht kundër për të dhënë detaje për rastin dhe për të treguar arsyen se pse doktori Luan Mustafa është liruar nga paraburgimi.
“Kqyre zonjë, nuk mund të ju jap kurrfarë informacioni në lidhje me këtë. Për arsye personale nuk do të deklarohem në lidhje me këtë. Hiç pa arsye, nuk jam i obliguar për të ju dhënë arsye, kurrëfarë arsye hiç…të lutem mos më shqetëso”, u shpreh Mustafa i cili është xhaxhai i doktorit Luan Mustafa.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.