Loreen e Suedisë ka fituar Eurovision Song Contest në Liverpool, ndërsa Mae Muller e Britanisë së Madhe përfundoi e dyta nga fundi.
Këngëtarja, e cila triumfoi më parë në vitin 2012, hyri në histori si gruaja e parë dhe personi i dytë, që fitoi dy herë konkursin.
Ajo mblodhi gjithsej 583 pikë pasi u bashkuan votat e publikut dhe jurisë, duke mposhtur ngushtë Finlandën, e cila mblodhi plot 526.
Pasi u shpall fituese në “M&S Bank Arena”, Loreen u rikthye në skenë dhe iu dorëzua trofeu nga fituesit e vitit të kaluar, grupi Kalush Orchestra nga Ukraina.
“Jam shumë e lumtur dhe u jam mirënjohëse”, tha ajo pasi pranoi çmimin.
Teksa iu drejtua turmës, ajo shtoi: “Faleminderit për këtë, kjo është për ju”.
Fitorja e saj do të thotë se barazohet me rekordin e mbajtur nga këngëtari irlandez, Johnny Logan, i cili triumfoi në konkurs në 1980 dhe 1987.
Shqipëria ndërkaq u rendit në vendin e 22-të në Eurovision me gjithsej 76 vota.