Enzo Fernandez ka qenë në qendër të polemikave në Portugali orët e fundit. Mesfushori i Benficas ka shkuar në Buenos Aires për të festuar Vitin e Ri pa miratimin e klubit nga Lisbona dhe fotot e publikuara në rrjetet sociale e kanë tradhtuar.
Trajneri i Benfica-s, Roger Schmidt, shpjegoi publikisht javën e kaluar se kampioni i botës nuk do të kishte ndonjë trajtim të veçantë për natën e Vitit të Ri dhe donte që lojtari më i mirë i ri i Botërorit të Katarit të qëndronte në kryeqytetin portugez për të shmangur udhëtimin e lodhshëm në Amerikën e Jugut.
Mirëpo Fernandez nuk i ka ndjekur udhëzimet dhe ka shkuar në vendlindje dhe është tradhtuar nga fotot e publikuara në rrjetet sociale nga menaxheri i tij Uriel Perez.
Të dy kanë pozuar për darkë me disa persona të tjerë dhe fotot e bëra në Canning, në periferinë jugore të kryeqytetit argjentinas, kanë zemëruar shumë tifozë të Benfica-s, të cilët shprehen të indinjuar për sjelljen e 21-vjeçarit.
Për momentin nuk dihet nëse Benfica do ta ndëshkojë Fernandezin dhe gjithnjë e më shumë po përmendet se ai mund të kalojë papritur te Chelsea në një transferim prej 120 milionë eurosh.