Në tetorin e vitit 2016, përfaqësuesja e Kosovës në futboll kishte pësuar një disfatë të thellë në ndeshjen e parë zyrtare zyrtare si nikoqire kundër Kroacisë. Sfida e zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës kishte përfunduar me rezultat 0 me 6.
Ndryshe nga zhgënjimi i lojtarëve dhe popullit nga humbja e pësuar, dikush mbase ka pasur arsye për tu gëzuar, të paktën, që shpenzimet për ta parë live këtë ndeshje, nuk i kishte bërë nga xhepi i buxhetit personal.
Përfituesit në këtë rast kanë qënë drejtuesit e Telekomit, në krye me kryeshefin ekzekutiv, Agron Mustafa, që në atë kohë kishin marr nga kuleta e PTK-së hiç më pak se 935 euro për ta parë këtë ndeshje, shkruan Sinjali.
VIP-at e Telekomit kishin zhvatur buxhetin e ndërmarrjes për t`i shijuar live emocionet e ndeshjes, pa çka se po dëmtohej kompania që drejtonin, dikur ndërmarrja më profitabile në vend.
Luksi me paranë publike po vazhdonte në Kosovë, përkundër shkallës së lartë të varfërisë e papunësisë që po i detyron shumë qytetarë të gjejnë rrugë për të ikur nga vendi.
Gazeta Sinjali ka siguruar dokumente ku dëshmohet sesi është keqpërdorur prej vitesh buxheti i kësaj ndërmarrjeje.
Në tabelën e shpenzimeve figurojnë si shpenzime operative për bileta rreth kësaj ndeshjeje dy shifra, njëra 825 euro dhe tjetra 110 euro.
E ndeshja në “Loro Boriçi” për Kosovën tonë, nëse jo për tjetër, do të mbahet mend për dy gjera.
Përderisa për djelmoshat kosovarë pësimi ishte mësim pasi me kalimin e kohës, humbjet i shndërruan në fitore duke u bërë krenaria e Republikës së Kosovës, njëjtë nuk ndodhi edhe me PTK-në e cila nga një storie e suksesit, prej vitesh u katandis në një ndërmarrje buzë falimentimit si pasojë e keqmenaxhimit dhe abuzimit me paranë publike. /Sinjali/