Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka,tha se,termocentrali “Kosova e Re”, mund të dështojë dhe të mos ndërtohet në rast se në pushtet vijnë kundërshtarët e këtij projekti.
Minsitri Lluka ka thënë se me tërheqjen e qeverisë nga kontrata, buxheti i vendit do të dëmtohet shume dhe do t’i humb rreth 20 milionë euro.
“Normalisht ata që kundërshtojnë këtë projekt mund ta tërheqin nëse vijnë në pushtet. Mirëpo kjo e ka një kosto financiare, 19,7 milionë është çmimi i kostos që i kushton buxhetit të vendit në rast se tërhiqet me gabim të Parlamentit të Kosovës, çdo gjë tjetër me gabime të kompanisë Countur Global, ne atëherë përfitojmë”, tha Lluka për televizionin publik.
Lluka tha se ndërtimi i Termocentralit të ri nuk pritet të fillojë me kohë për shkak të disa mbylljeve financiare, për cka sipas tij përgjegjëse për këtë është kompania amerikane “Contour Global”.
Por sipas minsitrit në detyre Valdrin Lluka, ky nuk është afati i fundit, pasi që për këtë ka edhe 8 muaj kohë në dispozicion në mënyrë që asnjëra palë të mos mbetet fajtore.
“Kosova ka jashtëzakonisht interes për një Termocentral të ri, ne ofrojmë Termocentrale shumë të vjetërsuara që shkaktojnë ndotje të ambientit, ndërsa Termocentralin e ri nuk duhet asnjëra qeveri ta dështojë sepse është projekt jetik për vendin”, shtoi Ministri Lluka.
Në anën tjetër shoqëria civile në Kosovë konsideron se ky projekt është i dëmshëm për vendin.
Grupi i organizatave të shoqërisë civile (Balkan Green Foundation, Instituti GAP, Grupi për studime Juridike dhe Politike si dhe Instituti për Politika Zhvillimore), kanë kundërshtuar në vazhdimësi këtë kontratë. Instituti GAP, i ka thënë Radio Kosovës, se kontrata do ta falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje për mjedisin, shëndetin dhe të drejtat e njeriut. Mes tjerash shoqëria civile konsideron se ndërtimi i këtij termocentrali e shtrenjton energjinë elektrike për mbi 90%.
Por një gjë të tillë, e mohon ministri në detyrë i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, i cili thotë se rritja e çmimit është vetëm spekulim.
Lluka tha se kundërshtarët e projektit duhet ta kenë parasysh se Kosova nuk ka rezerva tjera përveç thëngjillit për të siguruar energji elektrike.
Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2017 ka nënshkruar marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili parashihet të kushtojë 1.3 miliard euro.