Familjarët e personave të pagjetur kanë shprehur shqetësimet për gjendjen aktuale të tyre, në mbledhjen e radhës së Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Nysrete Kumnova, ngriti shqetësimin se çfarë do të ndodhë tani me çështjen e rritjes së pensioneve për familjet e personave të pagjetur, meqë Qeveria Haradinaj është në dorëheqje.
Këshilltari i Haradinajt, Jahja Lluka, tha se Qeveria e ka kryer punën e vet dhe tani i mbetet Kuvendit t’i miratojë propozimet që janë dërguar.
“Koncept dokumenti është miratuar në qeveri, po e presim përgjigjën e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që parlamenti, pavarësisht përbërjes, që nuk do ta aprovojë këtë ligj, por këtë duhet ta bëj parlamenti. Qeveria ka bërë punën e saj. E kemi obligim moral me kryer punën, ne nuk jemi në pushim, jemi në punë deri në ditën kur vjen kryeministri tjetër. Nuk besoj që ka deputet ose njeri në Kosovë që mund të thotë që familjet e të pagjeturve nuk do t’i kenë ato privilegje që i kemi propozuar”, tha Lluka.
Këshilltari i Haradinajt përmendi edhe njëherë lirimin e kriminelit serb, Miodrag Solaja, i cili ditë më parë u lirua në Serbi para kohës. I njëjti akuzohej për vrasjen e civilëve në Podujevë, në mesin e tyre edhe fëmijë.
Ai tha se kjo është e papranueshme për Kosovën dhe se nuk ka pajtim me Serbinë derisa kriminelët lihen të lirë.
Në mbledhjen e sotme komisioni diskutoi edhe për organizimin u diskutua edhe për përgatitjet e ditës së personave të pagjetur që është me 30 gusht, me ç‘rast u caktua këshilli organizativ.