“Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizoj pjesën vendimmarrëse të telekomit, pra rreth 51%, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër dhe kështu, duke përmirësuar kualitetin e operimit, zvogëluar humbjet dhe rritur efikasitetin e Telekomit.”, ka thënë Lluka.
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka zhvilluar takimin e parë me kompaninë Detecon International GmbH dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) lidhur me privatizimin e Telekomit të Kosovës.
Lluka ka thënë se BERZH me kërkesën Qeverisë së Kosovës, ka financuar në formë të grantit dhe ka përzgjedhur kompaninë Detecon, degë e kompanisë Deutsche Telekom, për të përgatitur telekomin për privatizim, projekt ky që do të zgjasë rreth 5 muaj.
“Ekipi nga Detecon qëndruan në Kosovë ku u takuan me akterët kryesorë që prekin këtë ndërmarrje të rëndësishme për ekonominë e vendit. Qeveria e Kosovës është e interesuar të privatizoj pjesën vendimmarrëse të telekomit, pra rreth 51%, duke qëndruar aksionarë për pjesën tjetër dhe kështu, duke përmirësuar kualitetin e operimit, zvogëluar humbjet dhe rritur efikasitetin e Telekomit. Në këtë takim diskutuam për hapat e ardhshëm, planin e projektit dhe vendet potenciale që kanë pasur privatizim të suksesshëm e që duhen të krahasohen me ne. Falenderoj BERZH që ju ka përgjigjur kërkesës për përkrahje, duke rritur besueshmërinë dhe transparencën e këtij procesi të ndjeshëm për vendin”, ka thënë ai. /Sinjali/