image Lleshaj ngre alarmin në Shqipëri: Duhet të jemi të përgatitur, Serbia po përgatit diçka

Shqipëri

Lleshaj ngre alarmin në Shqipëri: Duhet të jemi të përgatitur, Serbia po përgatit diçka

news image

Ish-ministri i Brendshëm, dhe ish-gjenerali Sandër Lleshaj, ka thënë se Kosova duhet të vijojë rrugëtimin e vet si shtet i pavarur i njohur nga mbi 100 shtete, pa u shqetësuar për njohjen nga Serbia.

Kjo, sipas tij duhet të bëhet përmes kontrollit të plotë të territorit dhe vendosjes së një statusi qartë, të njohur botërisht për pakicat serbe.

Lleshaj u shpreh se Kosova duhet të krijojë kapacitetet e saj për mbrojtjen e kufijve, ashtu siç duhet të bëjë edhe Shqipëria, që siç tha duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për një opsion tjetër përveç paqes në Ballkan.

“Kosova duhet të krijojë kapacitetet e saj për ruajtjen e territorit të vet. Ashtu sikundër Shqipëria duhet të jetë gjithmonë e përgatitur për një opsion tjetër përveç paqes në Ballkan. Erërat nuk janë domosdoshmërish të paqes ato që fryjnë. Armatimi serioz dhe i vazhdueshëm i Serbisë është sinjal i qartë se Serbia ka një plan të caktuar për ta zgjidhur me armët që ka grumbulluar. Çdo përshkallëzim i situatës në Kosovë do ta përfshijë Shqipërinë qoftë si NATO apo qoftë edhe vetëm si Shqipëri”, tha Lleshaj tha në Euronews Albania.

Sipas tij, në dy vitet e fundit Serbia është armatosur rëndë pikërisht për të vënë në zbatim planin e asaj që e ka të shkruar në kushtetutë, gjë që siç tha me naivitet është shpërfillur nga ndërkombëtarët, të cilët kanë vijuar përpjekjet për dialog.

“Ajo që shohim sot është vetëm një hap logjik përshkallëzimi që shkruhet në Kushtetutën e Serbisë, që Kosova duhet të jetë pjesë e Serbisë. Shteti serb ka një detyrë kushtetuese, të kthejë mbrapsht Kosovën. Identiteti i Vuçiç i lidhur me dy figura problematike, Millosheviçi dhe Putin dhe përpjekja për të kthye në anën perëndimore është iluzive. Është një hap logjik i radhës në një strategji që synon rikthimin mbrapsht të Kosovës. Serbia është armatosur rëndë këto dy vite në mënyrë të heshtur, po përgatitet për diçka dhe është ajo që e urdhëron kushtetuta e tyre,  pjesa tjetër është naivitet politik”, tha Lleshaj.

/GazetaSinjali/