Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Podujevë, ku një person po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur pas një debati verbal, i dyshuari ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Si rezultat i raportimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa gruaja ka shkuar në strehimore me fëmijët.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor ndaj të dyshuarit dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.