Skuadra e Llapit po kalon nëpër një formë të mirë në elitën e futbollit kosovar, duke vazhduar serinë pozitive të rezultateve.
Pas fitoreve ndaj Gjilanit dhe Feronikelit 74, llapjanët triumfuan edhe të shtunën në ndeshjen kundër Malishevës, duke shënuar rezultat 3:1 në stadiumin “Liman Gegaj”, në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës.
Me këtë fitore të tretë radhazi, Llapi ka bërë një hap të madh drejt sigurisë, duke u ngritur në vendin e pestë në tabelë me gjithsej 39 pikë. Kjo ecuri i ka larguar ndjeshëm nga zona e barazhit dhe ajo e rënies në Ligën e Parë, ku aktualisht gjendet Dukagjini me 36 pikë, ndërsa Suhareka e ndjek me 33 sosh. Feronikeli 74 është i fundit në tabelë me 14 pikë dhe tashmë matematikisht ka rënë në kategorinë e dytë.
Ndërkohë, Ferizaj qëndron një pozitë mbi Llapin me 41 pikë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar, kurse Malisheva që pësoi këtë humbje, renditet e treta me 47 pikë.
Në krye të tabelës, Drita vazhdon të udhëheqë me 63 pikë, duke e lënë pas Ballkanin që mban vendin e dytë me dhjetë pikë më pak.
Llapi e siguroi epërsinë prej dy golave në minutat shtesë të pjesës së parë, duke treguar efikasitet në momentet vendimtare të lojës.