image Lladrovci i del në krah Veselit: Përjetë do të mbetesh faqebardhë

Kosovë

Lladrovci i del në krah Veselit: Përjetë do të mbetesh faqebardhë

news image

Kryetari i komunës së Drenasit, njëherësh anëtarë i PDK-së, Ramiz Lladrovci ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale për ish-kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, i pari i Drenasit ka thënë se aktakuzat e Speciales janë dëshmi e egërsisë së kundërshtarëve dhe tendenca për ta nxirë shtetin dhe UÇK-në.

Tutje, Lladrovci ka thënë se jemi zotuar me jetën tonë se do t’i qëndrojmë besnik atdheut dhe interesave të kombit tonë.

Në fund, Lladrovci ka shkruar se Kadri Veseli, përjetë do të mbetet faqebardhë, ashtu siç keni qenë faqebardhë gjatë gjithë jetës.

Postimi i plotë:

Miku im Kadri Veseli,

 Jam i trishtuar nga lajmi se ke marrë rrugën për Hagë. Është dëshmi e egërsisë së kundërshtarëve tanë, planet e tyre dhe tendencat për ta nxirë shtetin dhe UÇK-në, rrugën tonë të drejtë për liri.

Ne jemi zotuar me jetën tonë, nga rinia jonë hershme se do t’i qëndrojmë besnik atdheut dhe interesave të kombit tonë.

Kemi qenë bashkë, kur kemi filluar të ngjitemi mbi barrikada dhe të armatosemi për liri kundër kriminelëve që torturonin popullin tonë.

Ne ishim bashkë, kur i varrosnim shokët tanë dhe kur përgatiteshim për luftën tonë çlirimtare.

UÇK ishte krijesë që buronte nga zemrat e rinisë tonë që trashëgonte frymën e Skënderbeut, duke u rreshtuar pas Komandantit tonë legjendar Adem Jasharit. Ishte rini dhe popull që barti moralin tonë për liri ndër gjenerata si amanet i shenjtë.

Ne kemi qenë bashkë kur kemi filluar të rreshtohemi në UÇK, kur ka filluar lufta frontale deri në bombardimet e NATO-s.

As sot nuk na ndajnë akuzat e makinerisë shpifëse, sepse kemi qenë dhe jemi në rrugën e ndritur të lirisë.

Rruga jonë ishte e drejtë, qëllimet tona ishin të mira dhe lufta është zhvilluar në pajtim me të gjitha normat ndërkombëtare. Për këtë, jemi të gjithë krenar.

Hartuesit e akuzave i pengojnë heronjtë tanë të gjallë. Ata nuk i durojnë heronjtë e gjallë, të ushtrisë më të suksesshme çlirimtare të shekullit 20.

Ju, miku im Kadri, jeni një nga këta heronj.

Andaj, shoku im, miku im, Kadri Veseli, përjetë do të mbeteni faqebardhë, ashtu siç keni qenë faqebardhë gjatë gjithë jetës Tuaj.

Ju presim ngadhënjimtar, si gjithmonë!/Gazeta Sinjali/