image Lista Serbe reagon për aksionin anti-drogë në Zveçan

Politikë

Lista Serbe reagon për aksionin anti-drogë në Zveçan

news image

Lista Serbe ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Zveçan. Lista Serbe ka mirëpritur këtë aksion me qëllim të luftimit të substancave narkotike.

Nëpërmjet një komunikate, Lista Serbe ka deklaruar se në emër të tyre dhe popullit serb ata “dënojnë veprime kriminale të individëve”.

Lista Serbe mirëpret aksionin e policisë nga Rajoni-Veri, i cili u zhvillua sot me qëllim të luftimit të krimit në fushën e narkotikëve, i cili në radhë të parë i mbron rininë dhe fëmijët tanë nga kjo murtajë që shkatërron çdo shoqëri. Ky veprim tregoi se punonjësit e policisë së Qarkut-Veri kanë aftësinë dhe kapacitetin për të kundërshtuar krimin“, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje shkruajnë se “shfrytëzojmë rastin të theksojmë se në emër të Listës Serbe dhe popullit tonë dënojmë veprime të tilla kriminale të individëve”.

Po ashtu, Lista Serbe ka thënë se gjithmonë do të japin mbështetjen e tyre ndaj aksioneve të tilla të cilat “nuk lejojnë që individë me aktivitetet e tyre kriminale të kriminalizojnë gjithë veriun“.

Ne i japim mbështetje të plotë policisë së Rajonit-Veri që të vazhdojë me veprime të tilla dhe të mos lejojë individë që me aktivitetet e tyre kriminale të kriminalizojnë gjithë veriun, ku jetojnë njerëz dhe mikpritës të ndershëm. Duam të bëjmë të qartë se sa herë që policia kryen veprime profesionale si kjo, gjithmonë do të ketë mbështetjen e Listës Serbe dhe qytetarëve tanë“, thuhet tutje.

Kujtojmë se në aksionin e sotëm në Zveçan, janë konfiskuar mbi 10 mijë fije narkotikë të llojit marihuanë.

/GazetaSinjali/