image Lirohet nga spitali Vali Corleone, e dashura e tij tentoi ta vras

Siguri

Lirohet nga spitali Vali Corleone, e dashura e tij tentoi ta vras

news image

Shtëpia ku bashkëjetonin prej vitesh personazhi i njohur për publikun, Princ Valentino Corleone dhe Anita Syla, mëngjesin e sotëm u shndërrua në një skenë krimi. Kjo pasi që 22-vjeçarja dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të Valit, duke e lënë atë të plagosur, raporton Gazeta Sinjali.

Si pasojë e plagëve që mori në këmbë, ai u dërgua në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku ka marrë trajtim mjekësor.

Sinjali mëson se ai tashmë është liruar nga spitali, pasi gjendja e tij është stabile.

Detaje për ngjarjen

Rasti ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit, ku Anita Syla dyshohet se me armë zjarri plagosi në këmbë Valin. Kjo bëri që Corleone me urgjencë të shkojë në Qendrën Emergjente të spitalit rajonal në Gjilan, për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Stafi shëndetësor ka njoftuar Policinë e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë takuar të dyshuarën dhe një dëshmitare shtetase të Serbisë, e cila ndodhej pranë çiftit momenti kur ndodhi akti. Policia po ashtu ka gjetur dhe sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet se u përdor në rast dhe 40 fishekë.

22-vjeçarja, Anita Syla, u prangos si e dyshuar për ‘Vrasje në tentativë’ ndaj personit me të cilin është në lidhje dashurie tash e disa vite. Anita, emri i së cilës shpesh herë ka mbuluar ballinat e shtypit rozë, në videot e publikuara në rrjete sociale ka treguar vazhdimisht raportin e mirë që kishte me Valin. Ajo madje i kishte lënë atij nofkën ‘Father King’. Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesë ndaj saj për caktimin e masës së paraburgimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/