Gjykata e Apelit e ka liruar nga të gjitha akuzat, drejtorin A.M., i cili dyshohej për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në cilësinë e drejtuesit të Departamentit Ligjor dhe Licencim të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARH).
“Gjykata e shkallës së parë kishte shpallur fajtor gabimisht A.M.. Ai më 2014, u dënua pasi u gjet fajtor për keqpërdorim të autoritetit pasi ia dha e pastaj ia tërhoqi licencën për transport hekurudhor të mallrave ndërmarrjes “Railtrans” L.L.C. me seli në Prishtinë”, konstaton Gjykata e Apelit.
Gjykata e shkallës së parë në verdiktin e saj shkruan se si pasojë e tërheqjes së licencës, A.M. i sjellë përfitim operatorit të vetëm publik dhe “Trainkos”, njëkohësisht i shkakton afro 1.2 milion euro dëm material firmës “Railtrans”.
Pasi, Gjykata e Apelit i shqyrtoi pretendimet ankimore dhe i vlerësoi shkresat e lëndës, gjeti se “gjykata e shkallës së parë, e ka bërë vërtetimin e gabuar të gjendjes faktike dhe me këtë e ka shpallur gabimisht fajtor të akuzuarin për veprën penale për të cilën është akuzuar, për shkak se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk e dëshmojnë se i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar”, bëri të ditur Gjykata e Apelit.
“Gjykata e Apelit konstaton se i akuzuari ka vepruar në përputhje me autorizimet e tij, sipas Ligjit për Hekurudhat dhe akteve tjera nënligjore të ARH-së, nuk i ka tejkaluar autorizimet apo detyrat zyrtare dhe nuk ka pasur prova që e kanë dëshmuar se i njëjti kishte për qëllim dëmtimin e Kompanisë ‘Railtrans’ ose përfitimin e Kompanisë Publike ‘Trainkos’”, thuhet në njoftimin e Apelit. /Gazeta Sinjali/