image Lirohet nga aktakuza ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj

Kosovë

Drejtësi/ Lirohet nga aktakuza ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj

news image

Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga aktakuza ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajn si dhe pesë të akuzuarit e tjerë me rastin ku ngarkoheshin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmi është konfirmuar nga avokati i Ilir Tolajt, Besnik Berisha, i cili ka thënë se gjatë ditës së sotme Gjykata Themelore e Prishtinës ka liruar nga aktakuza klientin e tij, si dhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti, Zenel Kuqi, Hajrullah Fejza, Bekim Fusha e Bujar Bukoshi akuzoheshin për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të Përkohshëm Penal, aktualisht e penalizuar me paragrafin 1 të nenit 422 dhe 423 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal.

Në aktakuzë thuhet se Ilir Tolaj, Sekretar i Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH)dhe Arbenita Pajaziti, zyrtare për furnizim në MSH, mes datës 26 shtator 2007 dhe 1 tetor 2007, kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare duke lejuar në kontratë ligjërisht të detyrueshme me “Jona Med” të kalonte pa respektuar kushtet dhe kriteret e saj. Por që të gjitha këto pretendime janë hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës gjatë ditës së sotme.

Avokati i Tolajt, Besnik Berisha në seancën e kaluar kishte thënë se neni 81 është risi e Kodit Penal aktual, por nuk ka qenë ky nen prezent as në kohën e hetimit, e as në kohën e akuzimit e gjykimit.

“Siç është elaboruar edhe në shqyrtimet e udhëhequra nga kryetarja e trupit gjykues të EULEX-it, ligji më i favorshëm në rastin konkret ka qenë edhe mbetet Kodi Penal që ishte në fuqi para janarit të vitit 2013”, kishte deklaruar avokati i Tolajt./Gazeta Sinjali/