image Lirohen disa nga mjekët e karantinuar në Viti, vetizolohen në shtëpi të pabanuara

Kosovë

Lirohen disa nga mjekët e karantinuar në Viti, vetizolohen në shtëpi të pabanuara

news image

Katër mjekë që ishin në karantinë në ambulantë të Vitisë që nga dita e djeshme, janë liruar për t’u vetizoluar nëpër shtëpitë e pabanuara, larg kontaktit me familjarët e tyre.

Këtë e ka bërë të ditur në një prononcim për Gazetën Sinjali, doktoresha Dardane Xhemajli, pjesë e personelit shëndetësor të vetizoluar në Viti.

“Pjesa e ekipit të ditës së urgjencës nga ora 15:00 kemi dalë nga vendi ku kemi qenë të vetizoluar në ambulantë. Unë kam ardhë te shtëpia e djalit të axhës, ai jeton jashtë me familje, kam ardhë me një kolege”, ka thënë fillimisht Xhemajli.

Teksa ka shtuar se në ambulantë vazhdojnë të qëndrojnë personeli mjekësor i ndërrimit të natës që kanë qenë në kontakt me 77-vjeçarin e infektuar si dhe familjarët e tij.

“Tash janë veç ekipi i natës që janë kanë, katër persona sepse njëra prej tyre ka shku te familja e vetë”, ka thënë Xhemajli për Gazetën Sinjali.

Përderisa ka theksuar se personeli mjekësor ka qëndruar në kushte të rënda përgjatë vetizolimit në repartin e Gjinekologjisë në QKMF,  ajo ka thënë se do të ishte e rrugës që një trajtim më të mirë të merrnin së paku ekipa që ka pasur kontakt me të infektuarin.

“Ish kanë e rrugës së paku mjekun dhe motrën që ka pasë kontakt me familjarin e pacientit, me ua marrë mostrat ose së paku me pasë një trajtim më serioz e jo me i neglizhu, sepse tek e fundit jemi personel shëndetësor nuk e meritojmë atë mënyrë trajtimin që e kanë bërë’, ka thënë Xhemajli.

Doktoresha Xhemajli edhe gjatë ditës kishte treguar kushtet e rënda që është përballur personeli mjekësor mbrëmë, duke u shprehur se katër persona e kanë ndarë shtratin për një person.

Por, ajo është shprehur falënderuese ndaj komunës së Vitisë, duke thënë se janë përkujdesur mirë për ta duke u dërguar, ushqim, mjete higjienike dhe cdo nevojë tjetër të stafit mjekësor.

“Shpresojmë që së bashku do ta kalojmë këtë situatë”, ka thënë në fund ajo për Gazetën Sinjali.

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë u shënuan rastet e para me koronavirus. Njëri prej të infektuarve ishte një 77-vjeçar nga komuna e Vitisë. Teksa, gjatë ditës së sotme është konfirmuar se një familjar i të moshuarit është gjithashtu i infektuar.

Aktualisht numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë është pesë./Gazeta Sinjali/