Pamja piktoreske e liqenit të Batllavës ka humbur madhështinë nga mbeturinat rreth e përqark, të hedhura pa kontroll nga vizitorët e shumtë, që vërshojnë sidomos të shtunave dhe të dielave.
Edhe pse natyra krijoi një vend të mrekullueshëm si ky, faktori njeri pamëshirshëm po e shkatërron atë dita ditës.
Pamjet që shohim përreth liqenit të Batllavës krijojnë përshtypjen e një deponie mbeturinash.
Jo vetëm që qytetarët po tregohen të pakujdesshëm, por edhe organet përgjegjëse për mirëmbajtje dhe pastrim janë ato që duket se e kanë harruar rrugën deri tek liqeni i Batllavës.
I vetmi angazhim i shtetit ishte rrënimi i objekteve pa leje në këtë hapësirë të mbrojtur me ligj, por as kjo punë nuk u krye deri në fund. Pas rrënimeve të objekteve, shteti la pas mbetjet e rrënimeve të cilat shihen kudo!
Ndotja e ambientit përreth liqenit të Batllavës ka bërë që interesimi i vizitorëve të bie dukshëm.
Këtë fundjavë në liqenin e Batllavës kishte shumë pak njerëz. Edhe ata që kishin ardhur ishin kryesisht peshkatarë, e aty këtu ndonjë familje që nuk kishte qenë gjatë kohë në këtë vend.
Besmir Kadriu nga rrethina e Prishtinës, kishte ardhur në liqenin e Batllavës bashkë me bashkëshorten dhe 3 vajzat, për të peshkuar dhe për të ndërruar pak ambient. Por, ai u shpreh i zhgënjyer ma atë që pa.
“Ka një kohë të gjatë që nuk kam ardhur këtu, ndoshta prej që i kanë rrënu objektet pa leje, se di a u kone vendim i mire a jo, por e di që si qytetarë e kemi obligim me ruajt këtë vend. Është marre me ardh njeri me bo skarë e më e lonë një grumbull me shishe birre e bërllok tjetër këtu. Pak e marrshme apo jo.” u shpreh ai.
Ndërsa, Skënder Gashi nga Prishtina i cili që 30 vite jeton në Francë, tha se është hera e parë që po e viziton liqenin e Batllavës. I pëlqente shumë natyra përreth, por kritikoi mungesën e kujdesit nga dora e njeriut.
“Jam për herë të parë këtu, dhe po me pëlqen shumë. Të them të drejtën një vend si ky e donë çdo kush ta ketë, por po vërehet një pakujdesi e madhe nga njerëzit. Me ardh njeri me pushu këtu edhe me e lanë në këtë gjendje është gjynah prej Zotit”, u shpreh Gashi.
Ministri në detyrë i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, tha për Gazetën Sinjali se ministria që ai drejton nuk është përgjegjëse për gjendjen e krijuar në liqenin e Batllavës.
“Ajo është zone e mbrojtur me vendim te Qeverisë të vitit 2012 ose 2014. Përgjegjëse për menaxhim të zonës është Kompania e Ujësjellësit Rajonal Prishtina, ndërsa prona është e KEK-ut. Mund te ketë ndonjë mbetje nga rrënimet, por pjesa apsolutisht me e madhe e 48 objekteve te rrënume është pastru nga MMPH, KEK e KUR Prishtina”, ka thenë Matoshi per Sinjalin.
Ndërsa, Kompania e Ujësjellësit Rajonal-Prishtina, përgjegjësinë ia hedhë Komunës së Podujevës.
“Ne kemi ndërmarrë veprime konkrete por është problemi i Komunë së Podujevës, respektivisht kompanisë “Pastrimi” që nuk largon mbeturinat. Shumë shpesh organizohen gara apo organizime të ndryshme brenda liqenit por asnjëherë nuk marrin leje apo pëlqim nga ne. Si përfundim zona afër liqenit me vendim të qeverisë në kuadër të zonave të mbrojtura sanitare është e caktuar si zonë e parë, 10 metra distancë nga liqeni ku ndalohet çdo aktivitet por kjo gjë nuk po respektohet. Ne si kompani e kemi paraparë në kuadër të planit të prokurimit dhe do vendosim shenjat përkatëse për definimin dhe demarkimin e zonave mbrojtëse te zonës se parë, të dytë, apo të tretë.” ka thënë zëdhënësja e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal-Prishtina, Arjeta Mjeku.
Nëse pakujdesia e qytetarëve dhe neglizhenca e organeve përkatëse vazhdon, liqeni i Batllavës si një zonë e rrallë atraksioni e turizmi, shumë shpejt mund të shndërrohet në liqe mbeturinash. /Sinjali/