image Liqeni i mbushur me kocka mijëvjeçare, origjina e tyre habit shkencëtarët

Botë

Liqeni i mbushur me kocka mijëvjeçare, origjina e tyre habit shkencëtarët

news image

Himalajet janë një nga zonat më të vështira në botë për t’u arritur. Klima është jashtëzakonisht e ashpër.

Por në kuotën e 5029 metrave ndodhet një liqen në pamje të parë aspak interesant, që mund të mbajë brenda saj një histori vërtet të veçantë dhe ende të pazgjidhur.

Me diametër rreth 40 metra, liqeni Roopkund njihet botërisht si “Liqeni i skeleteve”. Në ujërat e cekëta të këtij liqeni dhe përreth tij, veçanërisht gjatë verës kur dëbora shkrihet, një peizazh vërtet i frikshëm merr jetë, duke vënë në dukje qindra kocka njerëzish ende gjysmë të fshehura në tokë.

Por nga vijnë gjithë ato kocka? Bëhet fjalë për qindra persona që kanë gjetur vdekjen në atë vend të humbur të planetit për arsye ende të paqartë.

Një studim i detajuar mbi gjenet e eshtrave të liqenit Roopkund  ka nxjerrë në pah disa dukuri që në vend që të sqarojnë përfundimisht çështjen, e kanë zhytur atë edhe më shumë  në mister. Studiuesit, kryesisht të Universitetit të Harvardit analizuan 38 skelete dhe rezultatet i befasuan.

Gojëdhënat lokale filimisht tregonin se kockat mund të vinin nga persona të sakrifikuar ndaj një prej zotëve të vendit, Nanada Devi, por më së shumti mendohej se ishin tregtarë që kishin vdekur gjatë një prej stuhive të shumta që ndodhin në atë vend.

Por ADN-ja e kafkave dhe kockave të shpërndara kudo nuk gënjen. Jo vetëm që mbetjet njerëzore vinin nga 3 grupe të caktuara, por ato grupe kishin përfunduar në liqen rreth 1 mijë vjet pas njëra-tjetrës.

Ndërkohë që eshtrat më të reja, rreth shekullit të 19-të, kishin origjinë aziatike, kockat më të vjetra, rreth vitit 800, nuk kishin të bënin aspak me vendin ku ndodheshin. Ata ishin pa asnjë dyshim evropianë. Jo vetëm kaq, por zona më e mundshme sipas hulumtimit gjenetik është Mesdheu lindor, një zonë jo larg Ballkanit.

Asnjëri prej tyre nuk ishte i lidhur familjarisht me tjetrin dhe pjesa më e madhe ishin të fortë dhe dukshëm më të gjatë se mesatarja aziatike. Të dhëna që mund të mbështesin një nga teoritë që flasin për një ushtri që mund të ketë humbur rrugën dhe gjetur vdekjen në atë vend, dhjetëra mijëra kilometra nga vendlindja.  /Gazeta Sinjali