Çdo vit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” largohen rreth 100 punëtorë. Ata detyrohen ta marrin këtë vendim pasiqë, siç thonë, ndëshkohen me të holla edhe për gabimet më të vogla. Sipas tyre, dënimi me të holla nga menaxhmenti “Limak”, shkon deri në 16 mijë euro. Në shenjë revolte për verpimet e menaxhmentit, punëtorët paralajmëruan grevë për datën 8 gusht.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi, ka deklaruar se me ardhjen e kompanisë turke, u shuan edhe veprimet sindikale brenda këtij aeroporti, ndërsa kërkoi nga konsorciumi “LIMAK” që t’i marrin parasysh pesë kërkesat e punëtorëve, të cilat ai i quajti legjitime.
“Ne kemi qenë të detyruar që në mënyrë elektronike, pasi nuk na e ka hapur derën, përkundër kërkesave të vazhdueshme që të ulemi dhe t’i diskutojmë një nga një kërkesat tona dhe në mënyrë elektronike ne ia kemi dërguar. Janë pesë kërkesa, kompensimi dhe benefitet të tjera të rrezikshmërisë, pushimi vjetor, përvoja e punës për detyra dhe punë në shërbimet që janë të ekspozuara direkt me dëmtimin e shëndetit të punëtorëve. Kërkesa e dytë është të eliminohen dallimet në paga në rastet ku punëtorët kanë detyra dhe përshkrim të njëjtë të punës, orë të njëjta të punës, duke ngritur pagat në nivel të barabartë. Kërkesa e tretë është të paguhet përvoja e punës 0.5 për qind, kërkesa e katërt janë orët e punës gjatë vikendeve, dhe kërkesa e pestë është shujta”, tha Latifi.
Përkrahje punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, u ka ofruar edhe Dega e Komunikacionit në Lidhjen e Kosovës. Kryetari, Alush Sejdiu, tha se do të vazhdojnë me veprime sindikale deri në plotësimin e kërkesave të punëtorëve.
“Punëtorët janë boshti kurrizor i afarizmit të çdo kompanie e aq më tepër edhe të aeroportit. Ne nuk po kërkojmë asnjë kërkesë që nuk e kemi jashtë ligjeve të aplikueshme në Kosovë. Përfitimet, të cilat i fiton kompania, duhet të ndahen në çdo fundvit me proporcionin 12 për qind nga fitimi neto që e bëjnë e jo të punohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me pagë 200 deri në 500 euro, kur kolegët e tyre në rajon, por edhe në Evropë, kanë benefite tepër më të mëdha,” tha Sejdiu.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, avokati Tomë Gashi, tha se që nga marrja e udhëheqjes së kësaj ndërmarrjeje nga “LIMAK”, të drejtat e punëtorëve janë degraduar.
Ai shtoi se menaxhmenti i aeroportit, kërkesave të punëtorëve u është përgjigjur në formë të shkruar, duke i kërcënuar që të heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për datën 8 gusht.
“Diçka që është në formë të shkruar, që e kam parë si përgjigje e menaxhmentit të aeroportit është paksa shokuese, kur në formë të shkruar e kërcënojnë zotëri Bashkim Latifin, direkt me emër dhe mbiemër dhe kërcënimi ka të bëjë për pasoja juridike, por edhe siç i quajnë ata, pasoja të sigurisë, sepse kërcënimi është direkt për Bashkim Latifin dhe Driton Ademaj që mos ta organizojnë protestën e datës 8 gusht, dy ditë më vonë”, tha avokati Gashi.
Drejtues të Sindikatatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, të cilët paralajmërojë protestë, kërkuan nga menaxhmenti i aeroportit të reflektojë urgjentisht karshi kërkesave të tyre, me qëllim që punëtorët mos të hyjnë në grevë të përgjithshme./Sinjali.com/