Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë që kjo i është kërkuar dhe se do t’i përgjigjet çdo procesi gjyqësor, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Limaj, kjo që ka ndodhur sot (ngritja e aktakuzës ndaj Thaçit e Veselit) nuk ka të bëjë asgjë më drejtësinë, “ashtu siç nuk ka pasur lidhje me drejtësi i gjithë ky proces, që nga dita kur është iniciuar dhe votuar kjo gjykatë”.
“Zyra e Prokurorit Special të Dhomave të Specializuara me deklaratën e sotme të motivuar politikisht shkeli rregulloren dhe ligjin me të cilin funksionon kjo gjykatë dhe kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë për të prishur përpjekjet për paqe. Me vet mënyrën se si kjo zyrë e publikoi këtë aktakuzë të pakonfirmuar, tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me ndjekje politike ndaj luftëtarëve të UÇK-së. Dëshmia më e mirë për këtë është deklarata e sotme në kundërshtim të plotë me ligjin”, ka shkruar Limaj në Facebook./Gazeta Sinjali/